Ballina Lajme Nga Rajoni Thaçi: Vlerat e luftës s’i cënon pajtimi me serbët, por ata që...

Thaçi: Vlerat e luftës s’i cënon pajtimi me serbët, por ata që keqpërdorën uniformën e UÇK-së

SHPËRNDAJE

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në Zona e Debatit të Klan Kosovës ka thënë se iniciativa e tij për Pajtimin dhe të Vërtetën mund të krijojë narrativ të ri dhe të relaksojë marrëdhëniet mes dy popujve – shqiptarëve dhe serbëve.

Ai ka deklaruar se duhet diskutuar për gjëra që na bashkojnë dhe jo për ato që na ndajnë, njofton Klan Kosova.

“Unë nuk u flas njerëzve në Serbi, por kam dëshirë të dëgjohem. Dua të shpresoj që ka njerëz të vullnetit të mirë edhe atje. Vet fakti që Kosova është cështje periferike për qytetarët e Serbisë do të thotë se ata e dinë që Kosova është shtet i pavarur. Edhe politikanët e Serbisë privatisht e dinë dhe e pranojnë këtë fakt”.

“Sa i përket iniciativës për të diskutuar me të gjithë për të vërtetën, dikush mund të thotë se jemi vonuar. Por unë mendoj se kurrë nuk krijohen rrethanat e përkyera. Duhet të diskutojmë për vlerat që krijojnë mirëkuptim dhe jo ndarje. Unë e di se nuk do të mund të instalojmë dashuri mes shqiptarëve dhe serbëve. Por mund të jetojmë në paqe, mirë dhe jo në urrejtje me njëri-tjetrin. Tek e fundit shqiptarët nuk kanë luftuar me serbët, por me regjimin e Sllobodan Millosheviqit”.

Thaçi më tutje ka theksuar se me këtë iniciativë fitojnë shqiptarët dhe krijohet një standard i ri, një klimë e re në raportet mes dy popujve.

“Kosova vetëm do të fitojë nëse ndodhë një pajtim i këtillë. E di se ka njerëz që thonë se njëherë duhet të ndodhë kërkimfalja, pastaj pajtimi. Por ky lidership i tanishëm i Serbisë nuk besoj se do të mund ta bënte këtë gjë”.

“E di që nuk është iniciativë që do të duartrokitet. Por mbi këtë gjë po fitojmë një standard të munguar edhe në rajon. Ndaj mendoj që ky pajtim do t’i relaksojë njerëzit dhe do t’ia lehtësojë punën organeve të drejtësisë. I dëgjoj me vëmendje kritikat, por unë veprimet i kam marrë me plan pune – të menduara dhe studiuara mirë. Duhet të ndryshojnë narrativët. Nesër do të kemi takime të biznesmenëve, të historianëve, për të diskutuar për cështje të ndryshme”.

“Vlerat e luftës clirimtare të shqiptarëve i cënon vetëm ai njeri që e ka keqpërdorur uniformën e UÇK-së. Vetëm ai që për interesa meskine e ka cënuar një plak apo plakë serbe”.