Ballina Aktuale BE-ja “pret me padurim” formimin e institucioneve të reja të Kosovës për...

BE-ja “pret me padurim” formimin e institucioneve të reja të Kosovës për të vazhduar dialogun me Serbinë

SHPËRNDAJE

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell dhe komisionari Oliver Varhelyi, kanë kërkuar nga të zgjedhurit e rinj nga zgjedhjet e djeshme në Kosovë që të angazhohen në zbatimin e reformave, por edhe në vazhdimin e dialogut me Serbinë.

Në një komunikatë për media, dy zyrtarët e BE-së kanë thënë se presin me padurim formimin e Kuvendit të ri, por edhe të Qeverisë, e më pas edhe të presidentit të ri.

“Bashkimi Evropian do të vazhdojë të angazhohet me autoritetet, me synim mbështetjen e Kosovës në arritjen e progresit të prekshëm në rrugën e saj evropiane. Kjo do të kërkojë që Kosova të përparojë në reformat, të udhëhequra nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit dhe Agjenda e Reformës Evropiane, si dhe në bashkëpunimin rajonal. Rruga evropiane e Kosovës gjithashtu kalon përmes normalizimit gjithëpërfshirës të marrëdhënieve me Serbinë dhe BE-ja pret që autoritetet e reja në Prishtinë të angazhohen në mënyrë konstruktive me qëllim të vazhdimit të takimeve të dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe të shfrytëzojnë mundësinë para tyre për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, ka thënë Borrelli dhe Varhelyi në një komunikatë të përbashkët për media.

Aty u përmend edhe Misioni Elektoral i Ekspertëve të BE-së, i cili u tha se do të qëndrojë në Kosovë për të përcjellë procedurat paszgjedhore si dhe të japë edhe rekomandime. /Zëri/