Ballina Aktuale Kosova dhe Serbia pajtohen për zbatim të marrëveshjes për energjinë

Kosova dhe Serbia pajtohen për zbatim të marrëveshjes për energjinë

SHPËRNDAJE

Për qytetarët e katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, do të fillojë faturimi i rrymës së shpenzuar.

Kështu deklaroi kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë Besnik Bislimi, pas arritjes së pajtimit për udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes për energjinë në Bruksel më 21 qershor.

“Kjo mundëson faturimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Kosovës, sipas ligjeve dhe sistemit rregullativ të Kosovës”, ka shkruar Bislimi në Twitter pas takimit ndërmjet palëve nga Kosova dhe Serbia, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

“Për normalizimin e plotë (të energjisë në veri) janë paraparë 90-100 ditë”, ka thënë Bislimi gjatë një adresimi për gazetarë në Bruksel.

Qytetarët e komunave në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – kryesisht me shumicë serbe – nuk kanë paguar për rrymën e shpenzuar që nga viti 1999.

Sipas këtij udhërrëfyesi, parashihet që Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës(ZRRE), t’i lëshojë licencë për furnizim kompanisë nga veriu, Elektrosever, në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative të Kosovës.

Bislimi: Elektrosever, i nënkontraktuar nga KEDS-i

Elektrosever është një kompani me pronësi serbe, e themeluar në Kosovë dhe sipas ligjeve të Kosovës.

Sipas Bislimit, Elektrosever-i do t’i furnizojë qytetarët me energji elektrike, si dhe do t’i faturojë dhe të mbledhë pagesa.

“Marrëveshja nuk e njeh Elektrosever-in si shpërndarës, do të thotë distribuimi është monopol i KEDS-it (Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike), por KEDS-i, në bazë të marrëveshjes së vitit 2015 ia nënkontrakton katër shërbime të veta Elektrosever-it. Do të thotë e mban pronësinë, e mban monopolin, por nënkontrakton shërbimin e vendosjes së matësve të energjisë elektrike, mirëmbajtjes së matësve, jo të rrjetit, faturimin e shpenzimeve të konsumit të energjisë elektrike dhe inkasimit”, tha Bislimi.

Ai shtoi se sipas të gjitha pritjeve, tarifa do të jetë e njëjtë në të gjithë Kosovën, por “secili operator i furnizimit e ka lirinë e vet se si furnizohet me energji dhe në ç’masë arrin t’i inkasojë shpenzimet e veta”.

Bislimi tha se Elektrosever-i nuk është prodhues i energjisë, por e blen “qoftë nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), qoftë nga Ujmani apo nga një tjetër ofertues në tregun ndërkombëtar dhe pastaj ata paguhen nga inkasimet”.

Kosova dhe Serbia kishin arritur marrëveshje për energjinë më 2013, por ajo kurrë nuk ishte zbatuar në tërësi.

I dërguari i Posaçëm i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajçak, ka thënë se dakordimi për zbatimin e marrëveshjes për energjinë është “një hap i madh përpara”.