Ballina Religjioni POLEMIKË ME PROF. DR. MUHAMET MALËN

POLEMIKË ME PROF. DR. MUHAMET MALËN

SHPËRNDAJE

FEJA ISLAME KURRË NUK ËSHTË SHPËRNDARË ME DHUNË DHE SHPATË, PËRKUNDRAZI, AJO ËSHTË PËRQAFUAR DHE VAZHDON TË PËRHAPET ME DËSHIRËN, BESIMIN DHE VULLNETIN SHPIRTËROR TË NJERËZIMIT

Nga: Rexhep ELEZAJ

Në debatin televiziv në TV21, me temën, “Si erdhi Islami te shqiptarët”, me 4 tetor 2024, Prof. Muhamet Mala, historian, duke folur nga aspekti historik, kush na e solli Fenë islame dhe si depërtoi ajo tek shqiptarët në Ballkan, dha disa konstatime, të cilat shikuar nga aspekti historik, ndoshta janë të qëndrueshme, ndoshta nuk janë, siç ishte teza e tij mohuese, “se nuk është e vërtetë se Islami i ka shpëtuar shqiptarët nga asimilimi sllav”, për shkak, siç tha, se Islami në Ballkan do vije pas kohës së dinastisë serbe të Nemanjiçve, e cila ka zgjatur nga shekulli 12 e deri në shek.14-të, por nga e cila dinasti, sipas Prof. Malës, shqiptarët dolën të pa asimiluar në sllav, siç tregon pjesëmarrja e tyre në betejën e Kosovës me 1389, ku Perandoria osmane (PO), gjithnjë sipas tij, si forcë e madhe pushtuese do vjen në Ballkan pas shekullit 14-të, dhe tek atëherë shqiptarët do fillojnë të kalojnë në masë në Fenë islame, thotë Prof. Mala.

Dhe, pikërisht tek kjo poentë qëndron e pavërteta historike, sipas asaj që pohon historiani M. Mala, sepse nëse shqiptarët i paskan shpëtuar asimilimit sllav gjatë periudhës së dinastisë së Nemanjiçëve, atëherë cila paska qenë arsyeja që shqiptarët pas 2-3 shekujve të kalojnë në Fenë islame, meqë më nuk paska ekzistuar rreziku i asimilimit, që kjo në fakt e dëshmon të vërtetën e pamohueshme, se shqiptarët e kanë pranuar Islamin gradualisht, por me vetë dëshirë, në qetësi të plotë, pa dhunë dhe imponime nga PO, sepse me kalimin e dekadave, viteve dhe shekujve, shqiptarët e kanë kuptuar të vërtetën e Fesë islame, përmbajtjen e saj hyjnore, porositë e Kur’anit, që nënkuptonte besimin vetëm në Një Zot të vetëm, jo në shumë zota, ngadalë e kuptuan edhe brendinë e tij shpirtërore, lidhjen e drejtpërdrejtë të njeriut me Krijuesin pa ndërmjetësues, siç është rasti tek Krishterimi ortodoks dhe katolik (Triniteti), e kanë parë se çfarë pastërtie morale, shpirtërore dhe fizike rekomandon dhe zbaton Islami, e kanë kuptuar se në Fenë islame nuk ka shtresa skllavesh dhe njerëz të robëruar nga feudet dhe skllavopronarët, se nuk ka dallime në mes të varfërve dhe të pasurve, veçse të gjithë janë njësoi të barabartë para Zotit, Një, dhe të vetëm, dhe kjo mund të vërehej kudo në Islam, si në xhami në faljen e namazit, ku asnjëri besimtar nuk ka përparësi mbi tjetrin, në haxh, dhe kudo tjetër, duke e kuptuar, se në Fenë islame ka drejtësi dhe barazi të plotë, humanizëm, paq, devotshmëri, lutje dhe adhurim të Krijuesit me shpirt, mendje dhe trup, gjithnjë me kusht që besimtari të jetë i pastër fizikisht, ngase pa qenë plotësisht i pastër shpirtërisht, moralisht dhe fizikisht, nuk mund dalësh para Zotit xh.sh. me trup të ndytë dhe i zhveshur, se në Fenë islame nuk ka dhunë, veçse liri të plotë të besimit, të fjalës dhe mendimit të lirë, me përjashtim të blasfemisë, kryerjes së ritualeve dhe obligimeve fetare pa imponime dhe presion nga askush, qoftë ai prindi, imami, mësuesi, shteti apo kushdo qoftë tjetër. Pra, duke e parë se njeriu në Islam i gëzon të gjitha të drejtat për të jetuar i lirë, i barabartë me të tjerët, me të drejta të plota juridike, politike, fetare dhe kulturore të pacenueshme, si qenia më e përsosur e Zoti në tokë, shqiptarët e pruan të parët Islamin në Ballkan, dhe kështu me radhë.

Pra, të gjitha këto vlera njerëzore dhe shpirtërore që i posedon Islamin, kanë bërë dhe kanë ndikuar që shqiptarët, të njohur si komb me pastërti të lartë të gjenetike dhe tipareve të veçanta fisnike, fizike-higjenike, etj., që ta përvetësojnë Fenë islame me vetë dëshirë, me bindje si dhe besim të thellë, se nuk ka Zot tjetër, përveç Allahut të madhërishëm, duke u çliruar njëherë e mirë nga dogmat pagane dhe besëtytnitë e shumta, të cilat shekuj me radhë ua kishin rënduar koshiencën dhe psikologjinë e tyre personale dhe kolektive.

Shtrohet pyetja, si është e mundur që një Perandori aq e madh, siç ishte ajo PO-ne, e cila para se të bëhej superfuqi e kohës, popujt të cilët e formuan, ishin ata vetë që e kishin pranuar Fenë islame nga arabët fqinj, siç dihet krejtësisht vullnetarisht gjatë kohës së Kalifatit Emevit (661- 750) dhe Abasit (750- 1258), Fe e cila pa dhunë dhe shpatë në fillim të shekullit 7-të kishte depërtuar edhe në veriun e Afrikës, duke u përhapur po ashtu në Spanjë-Endelus në vitin 711 deri me 1492, për gati 781 vite sundim, pra që e njëjta Perandori popujt e të cilës vetë e kishte pranuar Fenë islame me dëshirë dhe pa dhunë nga askush, tani e njëjta pas ca shekujsh do ta impononte Islamin vetëm në Ballkan ndaj shqiptarëve me dhunë..!?

Perandoria Osmane është bërë fuqi së bashku me shumë popuj tjerë aziatik, por edhe me ndihmën e shqiptarëve, falë pikërisht bashkimit të tyre rreth besimit në Një Zot, në vlera të reja të cilat Islami i kishte sjellë me vete tek shumë popuj para formimit të kësaj perandorie, të cilët me forcat e bashkuara shpirtërore dhe morale si dhe zbatimin e parimeve të Islamit, arritën që ta formojnë PO, si vazhdimësi e Kalifatit islam, dhe e cila do të sundojë pjesë të mëdha të Azisë së vogël, Gadishullit arabik, Afrikës veriore, Spanjën deri në fund të shekullit të 13-të, kur arabët dhe Islami do dëbohen nga Evropa përmes Rikonkuistës dhe luftërave të mëdha kudër Fesë islame.

Pra, të gjitha faktet historike flasin se PO askund kudo që ka sunduar për afër 550-600 vite, Islamin nuk e ka shpërndarë as me dhunë, as me shpatë, veçse përmes forcës së vetë vlerave të Islamit, të cilat i cekëm më lartë, dhe të cilat disa popuj në Ballkan, siç janë shqiptarët dhe boshnjakët, i pranuan me vetë dëshirë, ndaj këtu nuk ke si të mos e pranosh faktin historik, se tek këta dy popuj frika nga asimilimi në popuj tjerë për rreth, ka qenë shkak jo i vogël që të kalojnë në Islam, pikërisht si një mjet dhe mënyrë për t’u larguar dhe për t’u veçuar sa më shumë nga popujt fqinj, sidomos serbët zullumqarë, të cilët tentonin që t’i gllabëronin brenda tyre, me qëllim për t’ua grabitë tokat, siç edhe kanë bërë gjatë shekujve plaçkitësit serbë me tokat e shqiptarëve, qëkur nga malet e Karpateve zbritën në tokat Ilire-dardane në fillim të shekullit të 7-të.

Pra, nuk ka asnjë dilemë, se duke e parë rrezikun e mbetjes në të njëjtën fe me serbët sllav, në ortodoksizmin serbo-sllav, dhe se përzierja martesore dhe kulturore me serbët do t’i çonte në asimilim të pashmangshëm, shqiptarët të vetëdijshëm për këtë rrezik, do kalojnë masovikisht në Fenë islame, si mburojë dhe shpëtim nga hegjemonizmi sllav, i cili gjatë tërë Mesjetës me forcë uzurpoi dhe okupoi toka të huaja, deri në Hilendar në Greqi, Durrës në Shqipëri, Kotorr në Mal të Zi, Sarajevë në Bosnje, e deri tek fushat e Panonisë në veri të Vojvodinës, etj.

Gjergj K. Skenderbeu, ose “Atleti i Krishterimit”, dhe rebelimi i tij kundër PO do të ndodhë, pikërisht si reaksion kundër përhapjes së Islamit në Ballkan, derisa në anën tjetër në Greqi, Venedik, Spanjë, etj., bëheshin luftëra të ashpra kundër përhapjes së Fesë islame në Evropë, në Azi, Rusi dhe tutje drejt Mongolisë, të cilët të bashkuar në luftëra kryqzatash nga të gjitha anët, arritën që gradualisht ta dobësojnë dhe në fund të shekullit 19-të edhe ta rrëzojnë Perandorinë Osmane, e që në esencë, ishte luftë kundër përhapjes së Fesë i islame, e cila po vazhdon edhe sot, por me mjete dhe metoda më të sofistikuara, që të gjitha këto së bashku, me qëllim të mos lejimit të rënies së Jerusalemit në duart e muslimanëve, dmth. nën sundimin e botës arabe-islame, siç po e tregon këtë edhe lufta dhe gjenocidi izraelit në Gaza të Palestinës dhe këto ditë në Liban.

Se Feja islame nuk është shpërndarë dhe përhapë me dhunë, këtë fakt e dëshmon katërçipërisht përqafimi i tij në masë të madhe nga shumë popuj të botës, i cili po ndodhë çdo ditë, krejtësisht me vetë dëshirë tek shumë popuj në Evropë, ku numri i muslimanëve po rritet me shpejtësi të madhe, e po ashtu po ndodhë në Kanadë, SHBA, Amerikën latine, Afrikë, Rusi, Australi, Japoni, Kinë, etj., dhe sot numri i muslimanëve në botë e ka kaluar shifrën prej mbi 2 miliardë, me trend të rritjes së mëtutjeshme.

Pra, po ndodhë kalimi i miliona njerëzve me vetë dëshirë në Fenë islame, ashtu siç ka ndodhur edhe gjatë kohës së Perandorisë Osmane tek shqiptarët, dhe kështu do ndodhë deri në ditën e kiametit, ngase njerëzimi ngadalë po kthehet tek rrënjët e Islamit burimor, atij të njeriut të parë të njerëzimit, Ademit a.s., i cili mision të tij fillestar e kishte ta mësojë njeriun, si qenien më të bukur në botë, se Krijuesi i tij i vetëm është Zoti i madhërishëm dhe që njeriu nuk duhet të adhurojë askënd tjetër përveç Atij, i qofshim falë që na ka krijuar si qenien më të përsosur që ta shijojmë në paq dhe lumturi këtë jetë.