Ballina Aktuale Shaip Kamberi bojkoton Parlamentin e Serbisë: “S’ka demokraci pa barazi për shqiptarët!”

Shaip Kamberi bojkoton Parlamentin e Serbisë: “S’ka demokraci pa barazi për shqiptarët!”

SHPËRNDAJE

Shaip Kamberi bojkoton Parlamentin e Serbisë: “S’ka demokraci pa barazi për shqiptarët!”
Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka njoftuar sot se nuk do të marrë pjesë në punimet e ardhshme parlamentare, duke iu bashkuar opozitës pro-evropiane që ka vendosur bojkotin si reagim ndaj krizës së thellë politike në vend.
Në një deklaratë të publikuar për opinionin, Kamberi thekson se komuniteti shqiptar që ai përfaqëson i qëndron besnik vetëm orientimit pro-evropian të Ballkanit Perëndimor dhe vlerave të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe barazisë.
“Respektimi i të drejtave të njeriut dhe të pakicave është themeli i çdo shoqërie të shëndoshë evropiane,” thekson ai, duke shtuar se realiteti në Serbi dëshmon çdo ditë të kundërtën, sidomos ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Sipas Kamberit, pavarësisht tri marrëveshjeve të nënshkruara me Beogradin (2001, 2009 dhe 2013), të drejtat e shqiptarëve vazhdojnë të nëpërkëmben në mënyrë sistematike përmes mosnjohjes së diplomave, nënpërfaqësimit politik dhe institucional, pasivizimit administrativ dhe mungesës së perspektivës ekonomike.
“Shpopullimi i Luginës së Preshevës nuk është rastësi, por pjesë e një agjende të mirëorganizuar,” ka deklaruar Kamberi, duke kritikuar ashpër mungesën e vullnetit politik për të përmirësuar pozitën e shqiptarëve përmes iniciativave ligjore, të cilat prej muajsh mbeten të bllokuara në procedurat parlamentare.
Ai theksoi se demokratizimi i Serbisë nuk mund të reduktohet në ndërrimin e pushtetit, por kërkon reformë të vërtetë, respekt për të gjithë qytetarët dhe shkëputje përfundimtare nga politika nacionaliste dhe imperialiste e viteve ’90.
“Në këto rrethana, nuk do të marr pjesë në punimet e ardhshme të Parlamentit të Serbisë,” përfundon Kamberi, duke nënvizuar se të gjitha veprimet e ardhshme politike do të koordinohen me aleatët pro-evropianë dhe me të gjithë ata që vërtet besojnë në demokraci dhe barazi.
“Shoqëria pro-evropiane nuk mund të ndërtohet mbi mitet e së kaluarës, as mbi trillimet historike dhe as mbi ambicien për hegjemonizëm në Ballkanin Perëndimor,” përmbyll ai deklaratën. Shiko më pak