Ballina Religjioni Të ruhemi nga hipokrizia dhe dyfytyrësia

Të ruhemi nga hipokrizia dhe dyfytyrësia

SHPËRNDAJE

Nga Nexhmedin Saqipi

Po jetojmë në një kohë të sprovave të rënda, një gjeneratë që po përballet me çnjerëzoren, me humbjen e dinjitetit, të identitetit dhe të integritetit njerëzor. Një kohë ku, siç na paralajmëron Zoti, hipokrizia është bërë rreziku më i madh që shkatërron shoqëritë nga brenda. Zoti e ka ndaluar rreptësisht këtë sëmundje morale, të mos biem pre e saj, të mos e ushqejmë dhe të mos e nxisim.

Hipokrizia është një zjarr i fshehur brenda shpirtit, që sipas udhëzimeve profetike është gjithmonë në gjumë, dhe mallkimi i Zotit i godet ata që e zgjojnë këtë zjarr për ta djegur shoqërinë. Allahu i Madhëruar ka kërcënuar qartë: hipokritët në botën tjetër do të jenë në thellësinë e Zjarrit.

Ky është një paralajmërim serioz për çdo besimtar të vërtetë.

Nëse vërtet besojmë në Zot, duhet ta marrim këtë me përgjegjësi dhe ndërgjegje. Përndryshe, pasojat janë individuale, dhe askush nuk mund t’i shpëtojë ndëshkimit të Zotit për mosbesim, mosbindje, rebelim dhe mendjemadhësi.

Sikurse në një vend pune: kur e kryen detyrën, shpërblehesh; nëse e neglizhon, rrezikon të largohesh; dhe nëse shkel rregullat, ndëshkohesh. Kjo është logjika e çdo sistemi që funksionon me drejtësi. Por, fatkeqësisht sot, njerëzit janë bërë “dibiduza”, të dyfytyrshëm, që nuk e marrin seriozisht as fjalën, as detyrën, as përgjegjësinë.

Edhe kur ballafaqohen me pasojat, shikojnë në sy si të pafajshëm, dhe thonë: “Gabova”, “U mashtrova”, “U hutova” dhe përsëri vazhdojnë me të njëjtën sjellje, pa pendim dhe pa reflektim. Kjo është simptomë e sëmundjes së hipokrizisë.

Unë shoh sot me shqetësim se kjo sëmundje nuk i ka kapluar vetëm njerëzit e thjeshtë, por edhe hoxhallarë, shkollarë, politikanë, udhëheqës, të cilët, me sjellje hipokrite, përpiqen të ruajnë pozitat e tyre me çdo kusht. Por edhe ata që sillen rreth pozitave si grabitqarë, shpesh janë të rrënuar shpirtërisht, dhe fytyrat ua dëshmojnë gjendjen e mjerë që i ka kapluar.

Por Zoti i di të gjitha. Ai dëgjon, sheh, dhe është i vetëdijshëm për çdo gjë që na përshpëritet në gjoks dhe mendje. Ai e njeh realitetin tonë më mirë se ne vetë. Prandaj, le ta pastrojmë veten nga hipokrizia dhe le të ruajmë sinqeritetin, për hir të vetes, për hir të Zotit dhe për hir të një shoqërie të drejtë.