Ballina Religjioni Dënimi më i madh nga Zoti është braktisja e njeriut

Dënimi më i madh nga Zoti është braktisja e njeriut

SHPËRNDAJE

Nga Nexhmedin Saqipi

Dënimi më i rëndë nga Allahu nuk është lufta, tërmeti, përmbytjet apo zjarret. Dënimi më i madh është kur Zoti e braktis njeriun, e lë të humbur, pa përkujdesje, pa ndihmë, pa autoritet dhe pa dinjitet, në errësirën e injorancës. Sipas urtësisë hyjnore, njeriu është krijesa më madhështore e Tij, dhe mjerë ai që e përbuz nderin dhe dinjitetin e veprës së Allahut.

Nuk guxojmë të ofendojmë njëri-tjetrin, të marrim me dhunë atë që nuk na takon, as të shkelim të drejtën dhe nderin e askujt. Po ashtu, nuk guxojmë t’i bëjmë dhunë vetvetes.

Bazamenti i besimit të fesë së shpallur nga Zoti është përvetësimi i lirisë, dijes, mëshirës, veprës së mirë, adhurimit, drejtësisë, devotshmërisë dhe dashurisë. Kjo është një luftë e përhershme për orientim dhe qëllim, njësoj si përpjekja e përditshme për ekzistencë dhe ruajtje të shëndetit e trupit.

Të gjitha udhëzimet hyjnore e drejtojnë njeriun drejt gjallërimit të jetës. Allahu nuk është indiferent ndaj veprave tona; Ai na urdhëron të mos bëjmë dhunë dhe mizori në tokë, sepse i mallkon të padrejtët dhe ata nuk do të mund t’i ikin drejtësisë së Tij. Ky është suneti – rruga e Krijuesit. Ai na ka zbritur Librin me fakte, si dhe hekurin dhe peshoren për drejtësi.

Na ka paralajmëruar të ruhemi nga veprat e këqija, sepse ndëshkimi nuk godet vetëm ata që bëjnë padrejtësi, por prek të gjithë shoqërinë.

Problemet e sotme mund të zgjidhen përmes udhëzimeve të mëparshme dhe modeleve të dërguara nga Allahu. Kjo iu bë e qartë edhe Profetit të fundit, Muhamedit (a.s.), kur Zoti i tha: “Ata (të dërguarit) ishin ata që Allahu i vuri në rrugë të drejtë, andaj ti merr shembull prej tyre.”

Në këtë botë, të vetmit që mund të gëzojnë siguri të përhershme janë besimtarët e pastër, të cilët nuk e përziejnë besimin e tyre me idhujtari dhe besime të kota. Historia dëshmon se sfida më e madhe e njerëzve ka qenë gjithmonë besimi, orientimi dhe shërbimi. Kjo betejë vazhdon deri në fund të botës, pavarësisht ideologjive dhe feve të krijuara nga njerëzit për t’i devijuar masat.

Kur njerëzit e kanë tepruar me të keqen, Allahu gjithmonë ka dërguar profetë me udhëzim, program dhe libra, të mbështetur në fakte dhe argumente. Ndryshimet e mëdha në histori i kanë bërë profetët, jo pushtetarët, as politikanët, e as luftërat. Përkundrazi, këta shpesh kanë qenë burimi i ideologjive të rreme të ngritura mbi ateizëm, politeizëm dhe robërim, të cilat edhe sot ekzistojnë, vetëm me emra të ndryshuar.

Politeizmi, ateizmi dhe laicizmi janë themeli i mosbesimit, që njeriun e devijojnë përmes tiranisë, regjimeve të egra, traditave të prishura, mashtrimeve dhe “zotave” të rremë. Shirku – qoftë në formën e politeizmit apo ateizmit – nuk ka logjikë të pastër; ai ushqehet me gënjeshtra dhe mashtrim.

Profeti i parë që u përball me politeizmin ishte Ibrahimi (a.s.). Krishterët thonë se ishte i krishterë, hebrenjtë se ishte hebre, por Allahu dëshmon në Kuran se ai nuk ishte as njëri, as tjetri, por musliman i pastër. Ai është i pari që e quajti veten “mysliman”. Ibrahimi është miku i Allahut, dhe Zoti na ka urdhëruar ta marrim shembull në udhëzim.

Në fund, nuk duhet të habitemi, dëshpërohemi apo të shesim mend, sepse shoqëritë që ndërtohen pa Zot, pa besim, pa drejtësi e pa përgjegjësi, përfundojnë në dhunë, krim, luftëra, katastrofa dhe shkatërrim. Drejtësia hyjnore nuk merr mbi vete përgjegjësinë për atë që e kemi shkaktuar vetë si njerëz.