Ballina Aktuale KRIZA E INFORMIMIT DHE SFIDA E MBIJETESËS KOMBËTARE

KRIZA E INFORMIMIT DHE SFIDA E MBIJETESËS KOMBËTARE

SHPËRNDAJE

Nga Nexhmedin Saqipi

Që nga viti 1993 jam marrë me gazetari, opinione, analiza e intervista. Kam shkruar jo vetëm për shqiptarët, por për gjithë njerëzit, sepse mendimi dhe dija janë universale. Qëllimi im ka qenë gjithmonë të ushqej shoqërinë me informim të drejtë e korrekt dhe të ngre vetëdijen njerëzore. Por sot pyetja që shtrohet është: çfarë vlere ka kur njerëzit nuk lexojnë, nuk mendojnë dhe nuk përpiqen të ndryshojnë?

Revolucioni medial dhe kriza e informimit

Mediat sociale sollën një revolucion: informatat u bënë të shpejta dhe të lehta për t’u shpërndarë, por edhe shumë të rrezikshme. Informimi doli nga duart e profesionistëve dhe përfundoi në duart e atyre që nuk kishin as përgatitje e as përgjegjësi. Çdokush hapi portale e faqe sociale, duke e mbushur hapësirën publike me lajme të pasakta, përçarëse e të dëmshme. Kur dituria ia tejkalon mendjes dhe informimi del nga kontrolli editorial, shoqëria hyn në krizë. Sidomos tek popujt që kanë kaluar luftëra, trauma dhe varfëri, kjo krizë kthehet në ankth dhe çrregullim shoqëror.

Kriza kulturore dhe shoqërore

Pas luftës, shqiptarët u gjendën të pambrojtur. Në vend që akademikët, shkollarët dhe profesionistët të merrnin drejtimin, hapësira iu la të paditurve. Traditat kombëtare, besa, burrëria, krenaria dhe trashëgimia kulturore u sulmuan pa mëshirë. U vendosën modele të reja pa identitet, duke e copëtuar shoqërinë dhe duke e futur atë në një betejë të brendshme të pashpirt. Kultura dhe trashëgimia jonë u goditën rëndë, pjesa më e madhe u përfshi në këtë “luftë hibride”, ku fituan injoranca, arroganca dhe shfrenimi.

Përgjegjësia dhe populizmi

Në çdo kohë kam thënë: udhëheqësit që dalin nga mesi i popullit duhet të kenë guxim, dije, përvojë dhe ta vënë interesin kombëtar mbi paranë. Mendësia e shtetit duhet të jetë ndryshe nga ajo e fisit e popullizmit. Demokracia është për të gjithë qytetarët pa dallim feje apo kombësie, dhe shteti duhet të mbështetet mbi ligje, jo mbi nacionalizëm apo racizëm. Populizmi është rrezik i madh: ai ndez urrejtje, prish rendin shoqëror dhe i jep hapësirë njerëzve dashakeq të përdorin fenë, nacionalizmin dhe ideologjitë për interesa të ngushta.

Lugina e Preshevës në tranzicion

Lugina ka qenë gjithmonë në pritje, e lënë pas dore. Përkundër militarizimit, popullata e Luginës ka jetuar pa frikë, sepse është mësuar me sfida dhe sprova. Ne kemi kërkuar trajtim nga faktori ndërkombëtar dhe kombëtar, por jemi braktisur. Kosova ka ecur përpara dhe sot e sheh veten si “komb kosovar”, ndërsa Lugina ende mbart barrën e proceseve të pazgjidhura. Ne kemi dhënë shumë, kemi sakrifikuar shumë, por kemi mbetur në vendnumëro. Rruga drejt së ardhmes Interesi kombëtar nuk është të hapim plagët e vjetra, por t’i shërojmë ato.

Duhet të ndërtojmë marrëdhënie të mira me fqinjët, urrejtjen ta kthejmë në respekt e mirëkuptim, dhe garën ta bëjmë me dije, ekonomi dhe kulturë, jo me armë e kërcënime. E ardhmja u takon liderëve të guximshëm që vendosin ligjin mbi popullizmin, dijen mbi interesin personal dhe të vërtetën mbi mashtrimin. Vetëm kështu Lugina dhe gjithë qytetaret do të mund të ecin përpara, së bashku me fqinjët dhe me botën.