Ballina Aktuale MUNGESA E PËRFAQËSUESVE SHQIPTARË NË TAKIMIN E KËSHILLAVE KOMBËTARE NGRE SHQETËSIME PËR...

MUNGESA E PËRFAQËSUESVE SHQIPTARË NË TAKIMIN E KËSHILLAVE KOMBËTARE NGRE SHQETËSIME PËR PËRFAQËSIMIN INSTITUCIONAL

SHPËRNDAJE

Në Beograd është mbajtur takimi koordinues i Këshillave Kombëtare të Pakicave Kombëtare, ku mori pjesë edhe Ministri për të Drejtat e Njeriut, të Pakicave dhe Dialogun Shoqëror, Demo Berisha.
Në këtë mbledhje, që kishte për qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërmjet këshillave kombëtare dhe institucioneve shtetërore, u morën disa vendime të rëndësishme lidhur me udhëheqjen e këtij trupi koordinues.

Drejtimin e tij, të cilin deri më tani e ushtronte kryetarja e Këshillit Kombëtar të pakicës kombëtare kroate, Jasna Vojniç, do ta marrë nga tani Suzana Kujundxhiq-Ostojiq, kryetare e Këshillit Kombëtar të pakicës kombëtare bunjevase.
Ndërkohë, zëvendëskryetar u zgjodh Novica Janosheviq, kryetar i Këshillit Kombëtar të pakicës kombëtare vllahe.

Ministri Demo Berisha në fjalën e tij theksoi rëndësinë e funksionimit të rregullt të këtij mekanizmi koordinues, duke nënvizuar se “ky forum u jep këshillave kombëtare mundësinë të shprehin qëndrimet e tyre dhe të kontribuojnë në hartimin e politikave për pakicat kombëtare”.
Ai siguroi se ministria që ai drejton “do të vazhdojë të mbështesë të gjitha këshillat në avancimin e të drejtave të tyre dhe në bashkëpunimin me institucionet shtetërore”.

Në takim u diskutua gjithashtu për ndryshimet e mundshme në Ligjin për KëshillatKombëtare të Pakicave Kombëtare, si dhe për Planin e Veprimit që synon realizimin e të drejtave të pakicave në mënyrë të barabartë dhe efektive.

Megjithatë, vëmendje të veçantë mori fakti se përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH), as këtë herë, nuk morën pjesë në mbledhje.
Mungesa e tyre në një forum të tillë konsultativ është vlerësuar nga organizatorët dhe pjesëmarrësit si një hap që mund të dëmtojë përfaqësimin institucional të interesave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Sipas vlerësimeve të bëra gjatë takimit, pjesëmarrja e rregullt në këto procese është thelbësore për të garantuar që zëri i komunitetit shqiptar të dëgjohet në nivel shtetëror, në mënyrë që të mos humbet ndikimi në vendimmarrjet që prekin drejtpërdrejt këtë komunitet, njofton Jetapress.