Ballina Aktuale MUNGESA E VAJZAVE SHQIPTARE NGA LUGINA E PRESHEVËS NË AKTIVITETIN PËR DITËN...

MUNGESA E VAJZAVE SHQIPTARE NGA LUGINA E PRESHEVËS NË AKTIVITETIN PËR DITËN NDËRKOMBËTARE TË VAJZAVE

SHPËRNDAJE

Në Pallatin e Serbisë u organizua aktiviteti qendror me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Vajzave, nën kujdesin e Ministrisë për të Drejtat e Njeriut, Pakicat dhe Dialogun Shoqëror. Ministri Demo Berisha priti vajza – përfaqësuese të këshillave kombëtare të pakicave, për të diskutuar mbi të drejtat, sfidat dhe rolin e tyre në shoqërinë bashkëkohore.

Secila pjesëmarrëse pati mundësinë të shprehë pikëpamjet e saj dhe të propozojë masa për përmirësimin e pozitës së vajzave dhe grave të reja. “Barazia gjinore, liria, e drejta për të vendosur, arsimi dhe kujdesi shëndetësor janë tema për të cilat duhet të flasim me zë dhe forcë, deklaroi ministri Berisha, duke theksuar se institucionet duhet të sigurojnë kushte të barabarta për çdo qytetar, pavarësisht gjinisë apo përkatësisë kombëtare.”

Megjithatë, vajzat shqiptare nga Lugina e Preshevës munguan plotësisht në këtë aktivitet. Këshilli Kombëtar Shqiptar (KKSH) nuk dërgoi përfaqësuesen e tij, duke bërë që zëri i vajzave shqiptare të mos dëgjohej në një ngjarje që kishte për qëllim fuqizimin dhe përfshirjen e tyre.

Arsyet e këtij bojkotimi mbeten të paqarta, por një qasje e tillë perceptohet si e dëmshme për përfaqësimin institucional dhe ul rolin e komunitetit shqiptar në proceset ku vendosen politikat e barazisë dhe zhvillimit të gjeneratës së re, njofton Jetapress.