Ballina Aktuale U MBAJT KONFERENCA NDËRKOMBËTARE “TA NDALIM HESHTJEN – SË BASHKU!”

U MBAJT KONFERENCA NDËRKOMBËTARE “TA NDALIM HESHTJEN – SË BASHKU!”

SHPËRNDAJE

Më 24 nëntor 2025, Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave dhe Dialogun Shoqëror, në bashkëpunim të ngushtë me Misionin e OSBE-së në Serbi dhe Odën Ekonomike të Serbisë, organizoi me sukses Konferencën Ndërkombëtare me temën “Ta ndalim heshtjen – SË BASHKU!”. Ky aktivitet i rëndësishëm ndërkombëtar mblodhi një numër të madh ekspertësh vendas dhe të huaj, me synimin për të hapur debat të thelluar dhe për të forcuar veprimin e përbashkët kundër dhunës ndaj grave, veçanërisht dhunës në hapësirën digjitale.

Në hapjen solemne të konferencës, të pranishmëve u drejtuan: ministri për të drejtat e njeriut dhe të pakicave dhe dialogun shoqëror Demo Berisha, ministri i drejtësisë Nenad Vujić, ministrja e punës, punësimit, çështjeve të veteranëve dhe politikës sociale Milica GjurgjeviqStamenkovski, ministrja pa portofol e ngarkuar me barazinë gjinore dhe parandalimin e dhunës ndaj grave Tatjana Macura, shefi i Misionit të OSBE-së në Serbi Marcel Peško, ushtrues detyre i koordinatorit të përhershëm të Kombeve të Bashkuara dhe përfaqësues i OBSH-së në Serbi Fabio Scano, si dhe përfaqësuesja e Odës Ekonomike të Serbisë Branislava Simaniq.

Në fjalën e tij, ministri Berisha theksoi se detyrë e çdo shteti demokratik është të krijojë një shoqëri ku çdo grua dhe vajzë ndihet e sigurt, e respektuar dhe e mbrojtur. Ai shtoi se kjo konferencë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt këtij qëllimi, pasi mundëson shkëmbimin e njohurive, përvojave dhe praktikave më të mira, duke kontribuar në ndërtimin e një mjedisi më të përgjegjshëm, më human dhe më të barabartë.

“Duke qenë se vajzat dhe gratë e reja janë më të ekspozuara ndaj dhunës digjitale, fokusi ynë duhet të jetë te edukimi, parandalimi dhe forcimi i kompetencave të mësimdhënësve dhe prindërve. Përveç kësaj, duhet ta kemi të qartë se rol të rëndësishëm në parandalimin e dhunës në internet kanë edhe mediat, platformat digjitale dhe sektori privat,” u shpreh ministri.

Berisha gjithashtu theksoi se ministria që ai drejton do të vazhdojë të përmirësojë kuadrin normativ, strategjik dhe institucional, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, me qëllim që të sigurohet një mbrojtje më efikase e grave dhe vajzave nga çdo formë dhune, sidomos ajo që zhvillohet në mjedisin virtual.

Konferenca u mbajt në kuadër të kampanjës globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës ndaj Grave”, duke synuar të mbledhë ekspertë europianë dhe rajonalë, përfaqësues të institucioneve shtetërore, organizatave ndërkombëtare, organeve rregullatore dhe shoqërisë civile. Qëllimi ishte identifikimi i sfidave kryesore dhe përmirësimi i modeleve të reagimit ndaj dhunës digjitale ndaj grave dhe vajzave.

Gjatë tre paneleve tematike u diskutuan përvojat dhe modelet e rregullimit të hapësirës digjitale, zgjidhjet teknologjike dhe inovacionet, si dhe forcimi i partneriteteve rajonale në këtë fushë. Në konferencë morën pjesë përfaqësues të institucioneve relevante të Republikës së Serbisë, si dhe ekspertë të ardhur nga Sllovenia, Franca, Gjermania, Gjeorgjia, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Shqipëria, bashkë me përfaqësues të organizatave ndërkombëtare./ Jetapress/