Ballina Aktuale U MBAJT KONFERENCA “THYEJE HESHTJEN – HESHTJA NUK ËSHTË ZGJEDHJE” NË KULLË

U MBAJT KONFERENCA “THYEJE HESHTJEN – HESHTJA NUK ËSHTË ZGJEDHJE” NË KULLË

SHPËRNDAJE

Më 26 nëntor, Ministri për të Drejtat e Njeriut, të Drejtat e Pakicave dhe Dialogun Shoqëror, Dëmo Berisha, mori pjesë në konferencën me temë “Thyeje heshtjen – Heshtja nuk është zgjedhje”, e cila u mbajt në Kullë.

Gjatë fjalës së tij, ministri Berisha theksoi se dhuna ndaj grave nuk është një fenomen i rastësishëm, por pasojë e pabarazive të gjata strukturore në marrëdhëniet shoqërore dhe në shpërndarjen e pushtetit. Këto pabarazi, sipas tij, kanë prodhuar ndër vite forma të ndryshme diskriminimi që u kanë kufizuar grave të drejtën për zhvillim të plotë, potencial dhe siguri. Për këtë arsye, dhuna ndaj grave mbetet një pengesë serioze në rrugën drejt barazisë, zhvillimit të qëndrueshëm dhe paqes shoqërore.

“Lufta kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje është një ndër prioritetet kryesore të Qeverisë së Republikës së Serbisë. Është shumë me rëndësi të theksohet se në vitet e fundit janë bërë hapa domethënës në parandalimin e dhunës dhe mbrojtjen e viktimave, në kuadër të politikave të përgjithshme të mundësive të barabarta, të cilat janë të sanksionuara qartë në Kushtetutën e Republikës së Serbisë”, u shpreh ministri Berisha.

Konferenca u pasurua edhe nga pjesëmarrja e Ivana Gajiq, përfaqësuese e sektorit për politikën kundër diskriminimit dhe përmirësimin e barazisë gjinore në Ministrinë e të Drejtave të Njeriut dhe Dialogut Shoqëror. Në fjalën e saj, ajo foli për rëndësinë e edukimit të hershëm dhe parandalimit të diskriminimit, duke theksuar sidomos domosdoshmërinë e fuqizimit ekonomik të grave sipërmarrëse.

Gajiq vuri në dukje gjithashtu se tribuna, konferenca dhe ngjarje të tilla nuk janë vetëm platforma informimi, por edhe mekanizma të fuqishëm që hapin dialog shoqëror, nxisin vetëdijen publike dhe forcojnë kulturën e respektimit të të drejtave të njeriut. Ato krijojnë hapësira ku zëri i grave dëgjohet, inkurajohet dhe merr mbështetjen e nevojshme për të sfiduar heshtjen dhe për t’u përballur me padrejtësitë./Jetapress/