Ballina Aktuale Myftiu i Kumanovës mirëpret Imamin e Qabës moment historik, krenari dhe respekt

Myftiu i Kumanovës mirëpret Imamin e Qabës moment historik, krenari dhe respekt

SHPËRNDAJE

Është një nder i veçantë të pritet si mysafir special imami i mirënjohur i Qabës së bekuar, Shejh Mahir Muajkali, në Maqedoninë e Veriut. Kjo vizitë shënon një moment historik, pasi për herë të parë një imam i Qabës së bekuar viziton vendin tonë dhe institucionet e Bashkësisë Fetare Islame.
Sipas agjendës së vizitës, më 4 dhjetor, Imami i Qabës do të jetë në Xhaminë e Re të Lagjes së Trimave në Kumanovë për namazin e akshamit, ndërsa jacitë do ta falë në Xhaminë Tatar Sinan Pasha, po ashtu në Kumanovë.
Sot ishte një ditë gëzimi dhe lumturie për besimtarët në Shkup dhe në gjithë Maqedoninë e Veriut, por sidomos për besimtarët e Komunës së Kumanovës, të udhëhequr nga myftiu, haxhi Abedin ef. Imeri. Falë angazhimit të tij, u bë e mundur që në xhamitë e Kumanovës të bashkoheshin qindra besimtarë, për ta parë nga afër dhe për t’u falur pas Imamit të Qabës.


Imami i Qabës gëzon një autoritet unik në zemrat e besimtarëve myslimanë. Përveç namazeve të përditshme që udhëheq për miliona njerëz, gjatë Haxhit ai udhëheq me mijëra mijëra besimtarë në një nga momentet më madhështore të jetës shpirtërore islame. Kudo që falen myslimanët në botë, ata kthehen nga e njëjta Kible, drejt Qabës së bekuar. Ky autoritet i Imamëve të Qabës është dhënë nga vetë Zoti, dhe çdo besimtar e ndjen dhe e pranon me nderim.

Në mesazhin e tij, Imami i Qabës theksoi se nga vendet e shenjta të Islamit përcillet gjithmonë mesazhi i paqes, sepse Islami në themelet e tij qëndron mbi paqen, bashkëjetesën dhe mirëkuptimin mes njerëzve, pa dallim vendi, race, ngjyre apo gjuhe.
Ndërsa Myftiu Abedin ef. Imeri u shpreh se kjo ditë do të mbetet histori për qytetarët myslimanë të Kumanovës. Ai tha se ndihet krenar që u bë sebeb për të sjellë këtë personalitet të madh fetar në xhamitë e Kumanovës, me qëllim që xhemati të përjetojë gëzim dhe lumturi të pakrahasueshme, njofton Jetapress.