Ballina Aktuale MUMIR BUCA TUSUNI, BURRËRIA E TOKËS DHE E LIRISË

MUMIR BUCA TUSUNI, BURRËRIA E TOKËS DHE E LIRISË

SHPËRNDAJE

Portret

Nga Nexhmedin Saqipi

Mumir Buca Tusuni është ndër ata njerëz të rrallë që nuk kanë nevojë të flasin shumë për t’u dëshmuar, sepse veprat e tyre flasin vetë. Ai është patriot i vërtetë, atdhetar jo me fjalë, por me punë, angazhim dhe sakrificë. I rritur me tipare natyrale burrërie, të trashëguara brez pas brezi në zemrën e Tërnocit, Mumiri e ka kthyer dashurinë për vendin në mënyrë jetese.

I dashur me shokë e miq, trim dhe i palëkundur në vendime, ai përfaqëson shpirtin e një njeriu që i qëndron besnik tokës, malit, ajrit dhe rrënjëve të veta. Kur flet për vendin, sytë i ndriçojnë; kur përmend tokat e fshatit, bagëtinë, pyjet dhe malin, gëzimi i tij është i natyrshëm dhe i pastër, si vetë peizazhi ku ka lindur. Ai është njeri që të mbetet në mendje – një institucion më vete, një pushtet që buron nga përvoja, mençuria dhe thjeshtësia e tij.

Mumiri është nga ata njerëz që Zoti i ka pajisur me dhunti të rralla – “i dhënë”, siç thotë populli, jo “i bërë”. Nuk është i robëruar nga titujt, pasuritë apo fama. Edhe pse do të meritonte të ishte pjesë e ekipeve elitare botërore, i institucioneve prestigjioze apo i strukturave më të fuqishme, ai zgjodhi pavarësinë e jetës së tij të pastër: pranë familjes, pranë tokës dhe pranë ajrit të kthjellët të Tërnocit. Ai e ka gjetur lumturinë aty ku e ka burimin – te rrënjët.

Institucionet dhe shteti do të duhej të krenoheshin me njerëz si ai: të sinqertë, punëtorë, të drejtë, të pavarur dhe të gatshëm të sakrifikojnë për interesin e vendit. Këta janë njerëzit që duhen mbështetur, stimuluar dhe përkrahur – e jo ata që krijohen nga emra të rremë, pozita fallco dhe lojëra që u shërbejnë interesave të momentit.

Sepse Mumiri ka treguar me kohë se kush është. Në periudhën më të vështirë, në kohën e UÇPMB-së, ai ishte në vijën e parë, gati për të mbrojtur Tërnocin dhe tokat e tij. Gjithmonë i gatshëm për vendin, gjithmonë i përkushtuar ndaj lirisë dhe dinjitetit, ai mbetet një simbol i gjallë i besnikërisë ndaj truallit.

Mumir Buca Tusuni është frymëzim, është vlerë, është krenari. Është luftari i lirisë që i përket tokës, por edhe historisë. Dhe sa më shumë që koha kalon, aq më shumë rritet fjala për të – sepse njerëzit e tillë nuk harrohen kurrë.

Zoti i shtoftë njerëzit si Mumiri në çdo vendbanim – sepse ata janë shtylla të kombit./Jetapress/