Ballina Aktuale BASHKATDHETARËT NË ZVICËR NË MBËSHTETJE TË LDK-së: FRYMA RUGOVIANE DHE UNITETI KOMBËTAR...

BASHKATDHETARËT NË ZVICËR NË MBËSHTETJE TË LDK-së: FRYMA RUGOVIANE DHE UNITETI KOMBËTAR PËRTEJ KUFIJVE

SHPËRNDAJE

Në kuadër të fushatës elektorale, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) organizoi në Zvicër një tubim madhështor, i cili u shndërrua në një manifestim të vërtetë të unitetit, përkushtimit dhe besimit në vlerat demokratike që ky subjekt politik ka kultivuar ndër vite. Ky tubim u karakterizua nga një pjesëmarrje e madhe e bashkatdhetarëve shqiptarë, të cilët jetojnë dhe veprojnë në diasporë, por që mbeten thellësisht të lidhur me zhvillimet politike dhe shoqërore në Kosovë.

LDK-ja, si subjekti i parë politik në Kosovë, i themeluar dhe udhëhequr nga presidenti historik dr. Ibrahim Rugova, edhe kësaj radhe dëshmoi se fryma rugoviane vazhdon të jetë e gjallë dhe frymëzuese për shqiptarët kudo që ndodhen. Tubimi në Zvicër ishte një dëshmi e qartë e respektit dhe besimit që mërgata shqiptare i kushton kësaj force politike, e cila ka qenë shtyllë e rëndësishme e proceseve shtetformuese të Kosovës.

Në mesin e pjesëmarrësve kishte bashkatdhetarë nga vise të ndryshme shqiptare, përfshirë edhe ternocas dhe përfaqësues nga rajoni i Luginës së Preshevës, të cilët tradicionalisht kanë qenë të lidhur ngushtë me kauzën kombëtare dhe me zhvillimet në Kosovë. Prania e tyre në këtë tubim dëshmon për rolin e rëndësishëm që diaspora dhe shqiptarët jashtë Kosovës luajnë në proceset politike dhe zgjedhore.

Njëri nga bashkatdhetarët e pranishëm në këtë tubim elektoral të LDK-së ishte edhe Arif Osmani nga Tërnoci, autor i librit “Alfabeti i Mileniumit të Ri”, humanist dhe atdhetar i njohur, i cili prej vitesh kontribuon në ruajtjen dhe promovimin e vlerave kombëtare. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, më 15 dhjetor, Osmani shprehu entuziazmin dhe përshtypjet e tij mbresëlënëse nga ky tubim madhështor.

Ai, theksoi veçanërisht takimin dhe përshëndetjen vëllazërore me kryetarin e LDK-së, z. Lumir Abdixhiku, duke e cilësuar këtë moment si simbolik dhe domethënës. “Kaluam si më së miri në tubimin e LDK-së në Zvicër me kryetarin Lumir Abdixhikun, me të cilin u përshëndetëm me shtrëngim duarsh si vëllezër e mbi të gjitha si dy tërrnofcali, duke përdorur edhe shprehjen ‘Ka hijeshi, aty ku ka tërrnofcali!’”, shkruan Osmani.

Nga pamja dhe mesazhi i kësaj fotografie e takimi, kuptohet qartë se ternocasit, kudo që gjenden, i japin mbështetje njëri-tjetrit dhe qëndrojnë të bashkuar. Kjo nuk buron nga ndonjë frymë lokaliste, por nga një kulturë e rrënjosur thellë e solidaritetit, besnikërisë dhe përkrahjes së ndërsjellë. Ata nuk e harrojnë të vetin, por e ndihmojnë, e përkrahin dhe e ngrenë bashkë, kudo që jetojnë e veprojnë.

Kjo praktikë e ternocasve është dëshmuar ndër vite, si në Luginën e Preshevës ashtu edhe në diasporë, në fusha të ndryshme të veprimtarisë shoqërore, kulturore, humanitare dhe politike. Edhe proceset zgjedhore në Kosovë janë një shembull konkret i këtij angazhimi të vazhdueshëm, ku diaspora dhe bashkatdhetarët nga viset shqiptare japin kontributin e tyre në mbështetje të forcave politike që përfaqësojnë vlerat e tyre.

Tubimi i LDK-së në Zvicër ishte më shumë se një aktivitet elektoral; ai ishte një mesazh i qartë se lidhja mes Kosovës dhe diasporës mbetet e fortë, se fryma e bashkimit kombëtar është e gjallë dhe se mbështetja për vlerat demokratike, paqësore dhe institucionale vazhdon të jetë një orientim i përbashkët për shqiptarët kudo që ndodhen./Jetapress/