Ballina Intervista JAM KRENAR PËR MBËSHTETJEN NDAJ RUAJTJES SË IDENTITETIT TË PAKICAVE

JAM KRENAR PËR MBËSHTETJEN NDAJ RUAJTJES SË IDENTITETIT TË PAKICAVE

SHPËRNDAJE

Intervista festive

Si ministër për të drejtat e njeriut dhe të pakicave dhe dialogun shoqëror, punën time e vlerësoj para së gjithash përmes rezultateve që kemi arritur si ekip. Përpiqem çdo ditë ta justifikoj besimin që më është dhënë dhe të punoj në mënyrë të vazhdueshme për përmirësimin e pozitës së të gjithë qytetarëve, veçanërisht të pjesëtarëve të komuniteteve pakicë, si dhe për forcimin e mekanizmave të mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Jam krenar që në periudhën e fundit kemi intensifikuar bashkëpunimin me këshillat kombëtarë të pakicave kombëtare dhe kemi mbështetur programet e tyre për ruajtjen e identitetit kulturor, gjuhësor dhe fetar – thotë në një intervistë për gazetën “Politika” ministri Demo Berisha. – Veçanërisht do të theksoja edhe organizimin e dialogëve shoqërorë në rrethet administrative në Republikën e Serbisë, të cilët që nga prilli i këtij viti kanë qenë nëntë, me pjesëmarrjen e mbi 400 pjesëmarrësve, 105 përfaqësues të shoqatave nga 10 qytete dhe 41 komuna, me temën e afirmimit të dialogëve shoqërorë në komunitetin lokal. Kjo ishte një mundësi që, drejtpërdrejt në terren, me praninë e përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, shoqatave të interesuara dhe mediave, të bisedohej për problemet e përditshme të qytetarëve dhe mënyrat për tejkalimin e tyre – thekson Berisha.

Në çfarë e keni përqendruar vëmendjen?

Vëmendje të veçantë i kemi kushtuar mbrojtjes së të drejtave të grupeve të cenueshme dhe të margjinalizuara, por edhe informimit të komunitetit më të gjerë për pozitën dhe nevojat e tyre. Duke i vendosur këto tema në qendër të dialogut shoqëror, synojmë të kontribuojmë në krijimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës së grupeve të cenueshme, por edhe të të gjithë anëtarëve të komunitetit.

Kam vërejtur se përmes dialogëve që kemi organizuar në njësitë e vetëqeverisjes lokale, qytetarët kanë shprehur interesim të madh për t’u përfshirë në proceset e vendimmarrjes dhe në krijimin e politikave në përputhje me nevojat e tyre, gjë që e konsideroj si qëllimin tonë parësor si ministri. Çdo ditë punojmë për forcimin e mekanizmave institucionalë për parandalimin e diskriminimit dhe promovimin e mundësive të barabarta, sepse jam i vetëdijshëm se puna në fushën e të drejtave të njeriut është një proces i pandërprerë dhe gjithmonë ka hapësirë për përmirësim. Prandaj, edhe në periudhën e ardhshme do të vazhdoj të punoj me përkushtim, transparencë dhe dialog të vazhdueshëm me të gjithë akterët relevantë, sepse vetëm së bashku mund të ndërtojmë një shoqëri që respekton dinjitetin e çdo individi.

Me çfarë jeni të kënaqur dhe çfarë mund të ishte bërë më mirë?

Edhe pse në shumë fusha kemi arritur përparim të konsiderueshëm, mendoj se gjithmonë mund dhe duhet të bëjmë më shumë, sepse në qendër të veprimit tonë është njeriu. Në periudhën e ardhshme duhet të punojmë edhe më fuqishëm për forcimin shtesë të mekanizmave lokalë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në mënyrë që standardet dhe praktikat e mbrojtjes së të drejtave të jenë njësoj të qasshme në të gjitha pjesët e Serbisë, pavarësisht madhësisë së komunës apo burimeve që ajo ka.

Gjithashtu, është shumë e rëndësishme që komunitetet pakicë të përfshihen më thellë në proceset e hartimit të politikave. Ne komunikojmë rregullisht me këshillat kombëtarë, por besoj se gjithmonë mund të bëjmë më shumë që zëri i qytetarëve të përfshihet drejtpërdrejt në proceset institucionale. Po ashtu, duhet t’i kushtohet vëmendje e shtuar programeve parandaluese, edukimeve dhe fushatave që kontribuojnë në kuptimin më të mirë të dallimeve dhe në rritjen e vetëdijes për pasojat e diskriminimit. Duhet të ndërgjegjësojmë shoqërinë se dialogu nuk është vetëm proces institucional, por edhe vlerë shoqërore.

Cili është pozicioni i komunitetit rom në Serbi?

Pozitën e komunitetit rom në Serbi e konsideroj një nga sfidat më të mëdha në fushën e të drejtave të njeriut dhe të pakicave. Pavarësisht masave të shumta të ndërmarra vitet e fundit – nga përmirësimi i qasjes në arsim, shëndetësi dhe punësim, deri te përmirësimi i kushteve të banimit dhe përfshirja e koordinatorëve romë në komunitetet lokale – kjo komunitet vazhdon të përballet me shumë pengesa.

Me iniciativën e ministrisë sonë, Qeveria në vitin 2025 themeloi Trupin Koordinues për përmirësimin e pozitës së romëve, i cili në nivel kombëtar ndjek të gjitha proceset që lidhen me përfshirjen sociale të romëve dhe romeve, duke koordinuar punën e institucioneve shtetërore, vetëqeverisjes lokale dhe subjekteve të tjera. Gjithashtu, është nënshkruar një marrëveshje me Fondin për Arsimimin e Romëve, që u mundëson të rinjve praktikë profesionale në ministrinë tonë. Përparimi është i dukshëm, por jo i mjaftueshëm.

Po dhuna digjitale ndaj grave dhe vajzave?

Dhuna digjitale ndaj grave dhe vajzave është një nga sfidat më serioze dhe me rritjen më të shpejtë të kohës sonë. Asnjë formë e dhunës digjitale nuk guxon të relativizohet. Gratë dhe vajzat duhet të ndihen të sigurta si në hapësirën fizike, ashtu edhe në atë digjitale. Edhe pse kemi ndërmarrë hapa të rëndësishëm – nga përmirësimi i kornizës ligjore deri te fushatat edukative në shkolla – kjo fushë kërkon ende angazhim të plotë dhe vëmendje të vazhdueshme.

Cili është përfundimi?

Vetëm përmes bashkëpunimit të institucioneve shtetërore, shkollave, mediave, platformave digjitale dhe sektorit civil mund të arrihet efekti i dëshiruar. Siguria e grave dhe vajzave është e drejtë themelore e njeriut dhe parakusht për përparimin e shoqërisë.

Cili është pozicioni i shqiptarëve në Serbi?

Pozita e komunitetit shqiptar në Serbi është temë që e trajtojmë me vëmendje të veçantë, përgjegjësi dhe ndjenjë të obligimit shtetëror ndaj të gjithë qytetarëve tanë. Komuniteti shqiptar është pjesë e rëndësishme e strukturës multietnike të Serbisë. Jam i vetëdijshëm se shqiptarët, veçanërisht në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, përballen me sfida që mund të zgjidhen vetëm përmes dialogut. Qëllimi ynë është që të gjithë qytetarët të jetojnë në një mjedis ku ndihen të barabartë, të respektuar dhe të sigurt. (Intervistën e japim të plotë marrë nga Gazeta “Politika”,e datës 28 dhjetor 2025, të cilën e transmeton Jetapress)