Ballina Aktuale Mbledhja komemorative për Nexhat Dacin: instrumentalizim politik i kujtimit

Mbledhja komemorative për Nexhat Dacin: instrumentalizim politik i kujtimit

SHPËRNDAJE

Nga Tërnoci Press

Mbledhja e ashtuquajtur komemorative në nder të akademik Nexhat Daci, e mbajtur në Bashkësinë Lokale të Tërnocit, nuk përfaqësonte një akt të sinqertë nderimi, por një vazhdimësi të një praktike të njohur të manipulimit politik të opinionit publik.
Organizatorët e kësaj mbledhjeje janë figura që, që nga koha sa ishte gjallë Presidenti Dr. Ibrahim Rugova, kanë devijuar nga rruga e tij politike dhe morale. Ata janë larguar nga filozofia institucionale, nga identiteti politik dhe nga parimet mbi të cilat u ndërtua LDK-ja e Rugovës. Sot, këta aktorë shfaqen pa bosht ideor, pa qëndrueshmëri dhe pa legjitimitet moral.
Përdorimi i figurës së Nexhat Dacit pas vdekjes së tij për përfitime politike përbën një akt të papranueshëm etikisht. Kujtimi i një personaliteti të shtetformimit nuk mund dhe nuk duhet të shërbejë si mjet për rehabilitim politik të individëve apo grupeve që kanë humbur besimin e qytetarëve.
Fatkeqësisht, kjo nuk është hera e parë që në hapësirën tonë politike shkelet dinjiteti i vdekjes për interesa të ngushta. Kur politika arrin në pikën që ecën edhe mbi kujtimin e të ndjerëve për të prodhuar kapital politik, atëherë kemi të bëjmë me një krizë serioze morale.
Akademik Nexhat Daci nuk ka nevojë për përvetësim politik pas vdekjes. Ai ka vendin e tij në histori përmes veprës, kontributit institucional dhe përkushtimit ndaj shtetit të Kosovës. Çdo tentativë për ta përdorur emrin e tij si dekor politik është fyerje ndaj kujtimit të tij dhe ndaj opinionit publik.
Respekti për të ndjerët matet me heshtje dinjitoze dhe me vërtetësi historike, jo me skena të orkestruara për qëllime politike.