Ballina Opinione ÇUDI SI NGELI GALIP BEQIRI PA MIRËNJOHJE NGA TRUPI KOORDINUES PËR PRESHEVË,...

ÇUDI SI NGELI GALIP BEQIRI PA MIRËNJOHJE NGA TRUPI KOORDINUES PËR PRESHEVË, BUJANOC DHE MEDVEGJË?!

SHPËRNDAJE

Nga TërnociPRESS

Ndarja e mirënjohjeve nga Trupi Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, në parim duhet të ishte një akt simbolik vlerësimi institucional për individë që kanë kontribuar në periudha të vështira politike, shoqërore dhe institucionale të Luginës së Preshevës. Një nga rastet më të habitshme dhe më domethënëse është mungesa e emrit të Galip Beqirit, një ish-veprimtar dhe funksionar që për dekada ka mbajtur poste kyçe, nga niveli lokal deri në përfaqësimin kombëtar shqiptar.

Harresa institucionale

Galip Beqiri nuk është një emër periferik në jetën politike dhe institucionale të Bujanocit dhe Tërnocit. Përkundrazi, ai ka qenë një figurë aktive në momente vendimtare, duke filluar nga zëvendës-drejtori në Gjimnazin “Sezai Surroi” në Bujanoci, angazhimi i tij në Bashkësinë Lokale të Tërnocit, e deri te zgjedhja si kryetari i parë i Këshillit Kombëtar Shqiptar, një post që e mbajti për dy mandate rresht.

Në të njëjtën kohë, ai ushtroi funksionin e drejtorit të Bibliotekës në qytetin e Bujanocit, duke mbajtur një rol të rëndësishëm edhe në jetën kulturore dhe arsimore. Një figurë që, përmes tri institucioneve dhe tri vulave zyrtare, simbolizoi për vite me radhë përfaqësimin dhe funksionimin institucional shqiptar në kushte të vështira politike.

Kontribute konkrete, jo deklarative

Një nga momentet më domethënëse të veprimtarisë së Galip Beqirit ishte ndërmjetësimi dhe angazhimi për sjelljen e shefit të Trupit Koordinues, Nebojsha Çoviq, në Tërnoc – një veprim që në atë kohë kërkonte guxim politik dhe aftësi negociuese.

Po ashtu, pas luftës së UÇPMB-së, kontributi i tij në vendosjen e barakës së policisë në Tërnoc ishte pjesë e një procesi delikat stabilizimi dhe rikthimi të rendit institucional. Madje, vlen të ceket edhe hapja e postës në  mënyrë solemne në Tërnoc, pas disa muajve kur u demilitarizua UÇPMB-ja, ku morën pjesë zyrtarë pushteti lokal e qendror i Serbisë, duke përfshirë edhe policinë, ushtrinë e xhandarmërinë, ndërsa ish ushtarët e UÇPMB-së rrinin të mbështetur për muri.  Këto nuk janë thjesht funksione formale, por veprime konkrete me pasoja reale për sigurinë dhe jetën e përditshme të qytetarëve.

Paradokset e përfaqësimit

Ironia politike e asaj kohe, dhe ndoshta edhe e kësaj të sotmes, qëndron në faktin se Galip Beqiri mbante tri poste zyrtare dhe tri vula institucionale, ndërkohë që në Preshevë, ish-deputeti në Kuvendin Republikan të Serbisë Behlul Nasufi – një emër i njohur i skenës politike – mbeti pa punë dhe pa mbështetje, pa mundur as bashkëpartiaku i tij Riza Halimi t’i bënte “qare”.

Ky kontrast flet më shumë se çdo analizë për paqartësinë e kritereve, pabarazinë e trajtimit dhe selektivitetin politik, i cili duket se vazhdon të përsëritet edhe sot në formën e mirënjohjeve.

Pse u kthyen disa mirënjohje?

Kthimi i disa mirënjohjeve nga Trupi Koordinues nuk ishte akt refuzimi ndaj institucionit në vetvete. Përkundrazi, ishte një reagim moral dhe politik ndaj faktit se një figurë me kontribut të padiskutueshëm,si Galip Beqiri, u la jashtë pa asnjë shpjegim publik.

Njerëzit nuk refuzuan Trupin Koordinues për të cilin kishin luftuar ta themelonin, por refuzuan padrejtësinë dhe harresën selektive, e cila rrezikon ta shndërrojë mirënjohjen në një dekor partiak dhe jo në një vlerësim historik.

Ironia politike

Sidoqoftë, Galip Beqiri me gjasë do ta gëzojë një ditë një mirënjohje të tillë. Ai është tashmë në pension dhe, me sa duket, ka ende kohë të merret me politikë në kuadër të Partisë për Veprim Demokratik – për aq kohë sa kjo parti të mos shndërrohet në një shoqatë pensionerësh, një strukturë që, për ironi, po i mungon shumë Bujanocit me rrethinë.

Sepse, në fund të fundit, në këtë realitet politik lokal, duket se nuk ka pleqëri të qetë, të rehatshme e komode pa një titull kryetari. Edhe në pension, rëndësi ka të jesh “dikushi”, qoftë edhe simbolikisht.