Ballina Lajme Nga Vendi U SHUA ZËRI QË THËRRISTE PËR QETËSI DHE DINJITET – BACA SHAIP...

U SHUA ZËRI QË THËRRISTE PËR QETËSI DHE DINJITET – BACA SHAIP ISUFI

SHPËRNDAJE

In memoriam

Nga Nexhmedin Saqipi

Sot, në moshën 81-vjeçare u nda nga jeta Shaip Isufi nga Tërnoci, një emër që nuk i përkiste vetëm një familjeje apo një fshati, por një trashëgimie të tërë vlerash njerëzore, fetare dhe tradicionale. Për breza me radhë, ai u njoh si Baca Shaip – njeri i urtë, shtëpiak i përkushtuar dhe blegtor me nam, veçanërisht për racën e mirë të deleve dhe kafshëve të tjera shtëpiake, duke ruajtur me fanatizëm traditën e punës së ndershme dhe jetesës së pastër.

Por emri i tij lidhet ngushtë edhe me një mision shumë më të thellë shpirtëror. Për dekada me radhë, Baca Shaip ishte muezini i Xhamisë së Re në Tërnoc, krahu i djathtë i Mulla Zejnullahut, Mulla Hysenit dhe Mulla Dinkës, duke e zbukuruar këtë xhami me një zë të fuqishëm, të pastër dhe thellësisht përshpirtshëm.

Zëri i Agës Shaip nuk ishte thjesht thirrje për namaz. Ishte thirrje për përulje, reflektim, bashkim dhe qetësi shpirtërore. Në çdo tubim fetar, prania e tij sillte autoritet dhe dritë. Kur ai këndonte, të gjithë dëgjonin. Kur ishte i pranishëm, i jepej përparësi nga dëshira dhe respekti që njerëzit kishin për zërin e tij të mrekullueshëm dhe të pazëvendësueshëm, të cilin ai e përdori vetëm për Ezanin, Kuranin, ilahitë dhe këngët tradicionale.

Përveç kësaj, Baca Shaip kishte edhe një shpirt artisti popullor. Hobi i tij ishte luajtja me kavall – instrument tradicional që në duart e tij merrte tinguj të butë e nostalgjikë, duke i dhënë jetë kujtesës sonë kulturore.

Kulturën, mirësjelljen dhe dinjitetin shoqëror ai i trashëgoi nga babai i tij, Kadriu i Cufës së Saqës, duke u bërë kështu një njeri i dashur për të gjithë, krenar për vlerat kombëtare dhe i palëkundur në ruajtjen e tyre. Një jetë të tërë e vuri në shërbim të fesë, të zërit të thirrjes dhe të dinjitetit njerëzor.

E respektuan hoxhallarët dhe xhemati, jo vetëm për zërin, por për zemrën e tij të madhe, për besnikërinë dhe përkushtimin që kurrë nuk u shua. Ai ishte shembull i njeriut të ndershëm që vlerat nuk i shpall, por i jeton.

Të gjitha këto janë vlera që njerëzit e mirë i ruajnë dhe ua lënë amanet brezave që vijnë.“Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi.”Allahu i Madhërishëm e mëshiroftë Baca Shaip Isufin dhe e shpërbleftë me Xhennet. Amin!