Ballina Aktuale Diskursi publik në shoqërinë kosovare ndërmjet sekularizmit klasik dhe post-sekularizmit

Diskursi publik në shoqërinë kosovare ndërmjet sekularizmit klasik dhe post-sekularizmit

SHPËRNDAJE

Nga Nexhmedin Ademi

Pak “ders laik” Ramazani për latifat, matoshët, xharrajt by compani.

Në këtë muaj të shenjtë, besimtari është i prirur të përmbushet shpirtërisht me gjithë kapitalin shpirtëror dhe shumëdimensional që ofron agjërimi i Ramazanit. Me qëllim ose pa qëllim, janë orkestruar disa paraqitje në diskursin publik për ta shpërqendruar vëmendjen nga energjia pozitive që na solli muaji i bekuar i Ramazanit.

Kosova nominalisht është laike, sekulare, ndërsa si shoqëri është uniformale jo-laike.

Këtyre mendjeve u ka ngelur ora te sekularizmi klasik, i cili përjashton fenë nga sfera publike duke e kthyer atë strikt në nivel privat, pa akses në hapësirat publike. Në variantin më ekstrem, laicizmi kuptohet si ateizëm, sidomos nëse merret për referencë ateizmi ekstrem maoist, i provuar në mendësinë shqiptare gjatë periudhës së Revolucionit Kulturor kinez në Shqipëri.

Ose nuk i dinë, ose nuk i pranojnë teoritë post-sekulare të demokracisë deliberative, të veprimit komunikativ dhe të sekularizmit asimetrik, ku religjioni është aktor publik dhe legjitim në jetën publike.

Jurgen Habermas, sidomos në fazën e tij post-sekulare, i artikulon këto ide për ta bërë demokracinë liberale më funksionale, pa e përjashtuar dhe diferencuar “tjetrin”, në këtë rast edhe komunitetin religjioz.

Habermasi ofron konceptin teorik të veprimit komunikativ, ku shoqëria komunikon racionalisht jo vetëm përmes pushtetit, por edhe përmes debatit qytetar me pjesëmarrje aktive, me qëllim të zvogëlimit të rrezikut të autoritarizmit institucional ndaj komuniteteve në shoqëri. Kjo arrihet përmes demokracisë deliberative. Në këtë drejtim mund të përmendet edhe Casanova me idenë e tij për desekularizimin dhe rolin publik të religjionit.

Ndërkaq, sekularizmi asimetrik lejon qytetarët dhe komunitetet të shprehen lirshëm dhe të realizojnë të drejtën e tyre për të pasur qasje në hapësirën publike. E gjithë kjo, sipas këtyre teorive, duhet të realizohet përmes artikulimit të gjuhës sekulare — një zgjidhje e pranueshme, pasi bëhet fjalë për drejtësi dhe barazi në hapësirat publike, e jo për debat teologjik. Argumentimi i realizimit të këtyre të drejtave duhet të artikulohet përmes gjuhës racionale sekulare, të vlefshme për diskursin zyrtar institucional.

Kështu do të përfshiheshin aktorët fetarë në jetën publike pa privilegj, do të mundësohej barazia qytetare si synim i çdo demokracie të avancuar dhe do të promovohej kohezioni social në çdo mjedis shoqëror pluralist, multireligjioz dhe multikulturor.

Frika imagjinare nga “përbindshi latent islamik” i gardianëve të laicizmit autoreferencialë të përmendur më lart, lidhur me shqetësimin për rrezikimin e laicitetit dhe sekularitetit si vlera të modernitetit, me vetëdije apo pa vetëdije, i shndërron ata në antimodernistë.

As nuk rrezikohet laiciteti shtetëror, e as nuk islamizohet shoqëria për disa dekorime me rastin e muajit të shenjtë të Ramazanit për myslimanët, apo për adaptimin e orarit mësimor për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme sipas kërkesave që dikton agjërimi i muajit të Ramazanit. Një praktikë e tillë nuk e ka shqetësuar New Yorkun, Londrën, madje as disa hapësira publike franceze e cila mbanë qëndrim më radikal të legjitimimit të vlerave fetare në diskursin publik, sigurisht edhe për shkak të konteksteve historike e kulturore mbi të cilat është ndërtuar marrëdhënia e religjionit me shtetin në shoqërinë franceze.

Është mirë ta kuptojmë të gjithë, veçanërisht ata që e ushqejnë islamofobinë, se çdo projekt që synon ta vendosë identitetin islam të shqiptarit në konflikt me identitetin nacional dhe realitetin shoqëror, ekspozon dy rreziqe substanciale që cenojnë kohezionin social dhe dobësojnë çdo ide apo mendim programatik për integrim brendakombëtar. Këto rreziqe shndërrohen në mjet ushqyes për promovimin e ekstremizmit religjioz katolik, të artikuluar përmes projekteve të konvertimeve masive nga “Lëvizja e Deçanit”, si dhe të grupeve ekstreme islamike, të cilat luajnë rolin e viktimës për shkak të diferencimit shoqëror.

Prania islame në trojet e gjeografisë etnike shqiptare ka vazhdimësi historike. Kjo traditë, Islamit i ka siguruar autoktoninë historike, autenticitetin kulturor dhe autonominë e veprimit brenda identitetit nacional.

Frika nga “talebanizimi i shoqërisë” apo “themelimi i shtetit islamik” është e pabazë. “Shteti islamik”, i programuar në imagjinatën e disa partizanëve të vlerave laike në shoqërinë shqiptare, është i padëshirueshëm edhe për vetë shoqëritë islamike në Lindje, të cilat ruajnë një afinitet më të theksuar historik e emocional me kulturën dhe qytetërimin islam, në raport me mjedisin kulturor shqiptar si gjeografi evropiane.