Ballina Religjioni Nëse agjërimi nuk na ndryshon për të mirë, çfarë dobie ka mosngrënia?

Nëse agjërimi nuk na ndryshon për të mirë, çfarë dobie ka mosngrënia?

SHPËRNDAJE

Nga Nexhmedin Saqipi

Nëse një besimtar agjëron një muaj për të zbatuar urdhrin e Krijuesit, por nuk e pastron veten nga “toksinat” e brendshme që i ka kultivuar me vite, mashtrimin, gënjeshtrën, xhelozinë, urrejtjen, nxitjen e përçarjes, mendjemadhësinë, atëherë ai ka mashtruar vetveten dhe ka dëmtuar kuptimin e besimit të tij. Është iluzion të mendosh se mund ta mashtrosh Zotin, ndërkohë që zemra mbetet e njëjtë.
Agjërimi është mundësi për ndryshim. Është thirrje për rikthim në identitetin e pastër njerëzor. Është luftë kundër veseve që e dëmtojnë imazhin dhe shpirtin e njeriut. Është rikthim në natyrën tonë të vërtetë, për të qenë njeri me ndërgjegje, me drejtësi dhe me mëshirë.
Agjërimi nuk është thjesht një akt formal adhurimi. Ai është domosdoshmëri shpirtërore dhe shoqërore. Është mekanizëm për ta ruajtur ekuilibrin e jetës, për ta disiplinuar egon dhe për ta forcuar moralin. Kur njeriu beson me vetëdije të plotë në Zotin, e kupton se agjërimi njëmujor është një institucion edukativ, një shkollë morale dhe shpirtërore që e përgatit për t’u kthyer te Zoti, te familja, te shoqëria dhe te populli.
Shpesh, të zhytur në interesa të shumta dhe ambicie të pafundme, largohemi nga njerëzorja. Agjërimi na thërret të ndalemi, të reflektojmë dhe të rregullojmë raportet tona, me Zotin dhe me njerëzit.
Le të jetë ky agjërim një moment kthimi te vetvetja. Të braktisim dredhitë, mashtrimet dhe shtirjet. Sepse sa njerëz kanë agjëruar e janë falur, janë paraqitur si besimtarë e si kombëtarë, por në thelb kanë mbetur të humbur, pa ndryshim të vërtetë.