Ballina Aktuale Iftar Madhështor në Bujanoc, të Bashkuar në atmosferën e ngrohtë të Ramazanit

Iftar Madhështor në Bujanoc, të Bashkuar në atmosferën e ngrohtë të Ramazanit

SHPËRNDAJE

Më 25.02.2026, në Bujanoc, Këshilli i Xhematit të Xhamisë së Qytetit organizoi një iftar madhështor me rreth 400 pjesëmarrës, në restorantin “Exluzivi”, për nder të muajit të bekuar të Ramazanit.

Në këtë mbrëmje të veçantë morën pjesë personalitete të rëndësishme fetare dhe institucionale. I ftuar nderi ishte kryetari i Bashkësisë Islame për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, mr. Nexhmedin ef. Ademi. Po ashtu, mysafir nga Dibër ishte Kujtim Ahmeti.

Të pranishëm ishin edhe kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Ibrahimi me stafin e tij, si dhe afaristë të shquar si Nexhat Beluli, Sulejman Halimi nga ” Al Evropa”, Bujar Maliqi nga Kompania ” Termopan” , Enis Ramadani nga Kompania “Unikat” dhe shumë të tjerë.

Pas iftarit, në emër të Këshillit të Xhematit të Xhamisë së Qytetit, fjalën përshëndetëse e mbajti imami i ri, Driton ef. Ramadani, i cili falënderoi të pranishmit dhe u shprehu mirëseardhje në emër të kryetarit të Këshillit të Xhamisë, haxhi Alban Aliut.

Më pas, fjalën e mori edhe kryetari i Bashkësisë Islame për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, mr. Nexhmedin ef. Ademi, i cili falënderoi Këshillin e Xhematit për organizimin dinjitoz dhe theksoi vlerën shpirtërore dhe shoqërore të iftarit në muajin e Ramazanit. Ai nënvizoi se iftaret janë një mundësi për forcimin e unitetit, afrimin e miqve dhe familjeve, si dhe për konsolidimin e bashkimit brenda shoqërisë islame.

Pas iftarit, në oborrin e hapur të xhamisë u fal namazi i akshamit, të cilit i priu mysafiri nga Dibra, Kujtim Ahmeti.

Me respekt,

Nga Këshilli i Xhamisë të Qytetit të Bujanocit
Haxhi Alban Aliu