Ballina Aktuale Patriotizëm sezonal për një mandat tjetër në Beograd

Patriotizëm sezonal për një mandat tjetër në Beograd

SHPËRNDAJE

Pas një periudhe të gjatë pasiviteti parlamentar dhe mungese pothuajse totale të rezultateve konkrete për shqiptarët e Luginës së Preshevës, Kamberi është “ringjallur” politikisht me dy kauza të ndjeshme kombëtare: rezolutën për dënimin e krimeve të Serbisë në Kosovë dhe kërkesën për hetimin e vdekjes së 135 shqiptarëve në radhët e Armatës Popullore Jugosllave gjatë viteve ’80.

Dy tema të rënda. Dy plagë historike reale. Dy çështje që meritojnë trajtim serioz institucional dhe moral. Por problemi nuk qëndron tek temat. Problemi qëndron tek koha dhe sinqeriteti politik i atyre që i përdorin ato.

Sepse është e pamundur të mos vihet re se kjo “ndezje patriotike” po ndodh pikërisht në momentin kur në Serbi po paralajmërohen zgjedhje të parakohshme parlamentare. Dhe po aq e pamundur është të mos shtrohet pyetja: ku ishte Shaip Kamberi gjithë këto vite përballë problemeve reale të shqiptarëve në Luginën e Preshevës?

Ku ishte kur shqiptarët po largohen masivisht nga trojet e tyre për mungesë perspektive? Ku ishte kur pasivizimi i adresave u kthye në mekanizëm institucional diskriminimi? Ku ishte kur të rinjtë shqiptarë humbnin besimin tek institucionet dhe largoheshin drejt Perëndimit? Ku ishte përballë mungesës së investimeve, papunësisë, mosintegrimit institucional dhe margjinalizimit sistematik të shqiptarëve?

Sepse sot, pas kaq vitesh në Parlamentin e Serbisë, bilanci politik i Shaip Kamberit mbetet më shumë mediatik sesa real. Ai ka prodhuar deklarata, por jo ndikim. Ka prodhuar simbolikë, por jo zgjidhje. Ka ndërtuar imazh si “zëri i shqiptarëve”, por pa arritur të ndërtojë mekanizma konkretë mbrojtës për shqiptarët e Luginës.

Në fakt, zhurma e tij dëgjohet pothuajse ekskluzivisht në Facebook. Atje ai është aktiv, patriotik, emocional dhe opozitar. Por politika nuk zhvillohet në timeline. Politika matet me rezultate, me ndikim institucional, me aleanca dhe me fuqi reale për të ndryshuar diçka në jetën e qytetarëve. Ndërsa në Beograd, Shaip Kamberi ka mbetur një figurë periferike, pa peshë reale politike./perspektiva.info/