Ballina Aktuale MITROVIQ DHE BERISHA DISKUTOJNË PËR AVANCIMIN E DIALOGUT NË LUGINËN E PRESHEVËS

MITROVIQ DHE BERISHA DISKUTOJNË PËR AVANCIMIN E DIALOGUT NË LUGINËN E PRESHEVËS

SHPËRNDAJE

U.d. drejtori i Shërbimit të Trupit Koordinues të Qeverisë së Republikës së Serbisë për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Nenad Mitroviq, ka zhvilluar një takim pune me ministrin për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave dhe Dialogun Shoqëror, Demo Berisha.

Në këtë takim mori pjesë edhe këshilltari i posaçëm i ministrit, Dragan Delibeshiq, ndërsa fokusi kryesor i bisedimeve ishte situata aktuale në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, si dhe nevoja për intensifikimin e bashkëpunimit institucional në funksion të përmirësimit të jetës së qytetarëve.

Sipas njoftimit të Trupit Koordinues, bashkëbiseduesit diskutuan për sfidat me të cilat përballen qytetarët në këto tri komuna, duke vënë theks të veçantë në rëndësinë e dialogut, bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional për adresimin e çështjeve me interes për komunitetet lokale.

Gjatë takimit u shqyrtuan edhe hapat konkretë që pritet të ndërmerren në periudhën e ardhshme, me qëllim të avancimit të komunikimit mes institucioneve shtetërore dhe pushtetit lokal, si dhe krijimit të kushteve më të favorshme për zhvillim dhe integrim më të mirë shoqëror.

Takime të tilla vlerësohen si të rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit institucional dhe për vazhdimin e dialogut rreth çështjeve që prekin qytetarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, në një periudhë kur kërkohet më shumë angazhim për stabilitet, barazi dhe zhvillim të qëndrueshëm në rajon./Jetapress/