Ballina Aktuale ALBINIZMI SI ANTIPOD I RUGOVIZMITDHE THAÇIZMIT
(Analizë sociologjike dhe vështrim kritik mbi transformimet...

ALBINIZMI SI ANTIPOD I RUGOVIZMITDHE THAÇIZMIT
(Analizë sociologjike dhe vështrim kritik mbi transformimet e kulturës politike në Kosovë)

SHPËRNDAJE

Nga Nehat Hyseni

Historia politike e Kosovës së pasviteve ’90 mund të interpretohet edhe përmes tre modeleve të mëdha të kulturës politike, të cilat në këtë punim emërtohen metaforikisht si “Rugovizëm”, “Thaçizëm” dhe “Albinizëm”.
Këto nuk paraqesin doktrina të kodifikuara, por modele të ndryshme të konceptimit të pushtetit, të marrëdhënies me qytetarin, të mënyrës së ushtrimit të autoritetit dhe të vizionit për shtetin.
Në këtë kuptim, Albinizmi paraqitet si një reaksion politik dhe kulturor ndaj dy modeleve të mëhershme. Ai lind si kundërshtim i elitave tradicionale, si kritikë ndaj kompromisit politik të konsideruar të tepruar dhe si kërkesë për një formë të re të legjitimitetit demokratik.
Por pyetja themelore mbetet: a është Albinizmi vërtet antipod i Rugovizmit dhe Thaçizmit apo, me kalimin e kohës, po krijon një model të ri të personalizimit të politikës?

Rugovizmi – filozofia e rezistencës paqësore

Rugovizmi përfaqëson një nga fenomenet më të rëndësishme politike të historisë moderne shqiptare.
Ai u ndërtua mbi filozofinë e rezistencës paqësore, të durimit strategjik dhe të orientimit euro-perëndimor.
Në thelb të tij qëndronte bindja se legjitimiteti ndërkombëtar dhe krijimi i institucioneve paralele ishin rruga më e sigurt drejt lirisë dhe pavarësisë.
Rugovizmi krijoi një kulturë politike të moderuar, ku kompromisi konsiderohej mjet politik, ndërsa shmangia e konfliktit paraqitej si virtyt shtetformues.
Megjithatë, kritikët e tij argumentojnë se kjo filozofi prodhoi edhe pasoja negative.
Ajo krijoi një elitë politike të mbyllur, ngadalësoi proceset reformuese dhe, në disa raste, e shndërroi moderimin në pasivitet politik.

Thaçizmi – politika e pragmatizmit
dhe e pushtetit
Nëse Rugovizmi ishte filozofia e rezistencës paqësore, Thaçizmi u paraqit si filozofia e luftës, veprimit politik dhe e pragmatizmit.
Ai lindi nga lufta e UÇK-së dhe nga nevoja për ndërtimin e institucioneve të reja shtetërore.
Thaçizmi identifikohet me aftësinë për kompromis politik, me orientimin e fortë pro-perëndimor dhe me konsolidimin e shtetit të ri.
Por ky model u shoqërua edhe me kritika të shumta.
Personalizimi i pushtetit, klientelizmi, centralizimi i vendimmarrjes dhe akuzat për korrupsion krijuan një pakënaqësi të madhe shoqërore.
Në këtë klimë mosbesimi dhe zhgënjimi filloi të marrë formë një alternativë e re politike.

Lindja e Albinizmit

Albinizmi lindi si revoltë kundër elitave ekzistuese.
Ai u paraqit si alternativë morale dhe politike ndaj klasës së vjetër politike.
Në qendër të tij qëndronte ideja e drejtësisë sociale, luftës kundër korrupsionit dhe sovranitetit politik.
Në fillim, Albinizmi kishte karakter të fortë protestues.
Ai ishte kundër shumë proceseve politike, kundër marrëveshjeve të caktuara ndërkombëtare dhe kundër mënyrës së qeverisjes së elitave tradicionale.
Pikërisht ky karakter opozitar e bëri atë tërheqës për brezat e rinj dhe për shtresat e zhgënjyera të shoqërisë.

Albinizmi si antipod

Në aspektin ideologjik, Albinizmi paraqitet si antipod i Rugovizmit dhe Thaçizmit.
Nëse Rugovizmi theksonte kompromisin, Albinizmi preferon qëndrimin “e fortë”!
Nëse Thaçizmi vlerësonte pragmatizmin politik, Albinizmi synon “legjitimitetin moral”.
Nëse elitat tradicionale mbështeteshin në rrjete të gjera klienteliste, Albinizmi pretendon të ndërtojë meritokraci dhe transparencë.
Megjithatë, me kalimin e kohës, ky antagonizëm ka filluar të relativizohet.
Pushteti ndryshon jo vetëm institucionet, por edhe vetë kulturën politike të atyre që e ushtrojnë atë.

Karizma dhe fenomeni “Albin baba”

Një nga aspektet më interesante sociologjike është krijimi i një raporti të veçantë ndërmjet liderit dhe mbështetësve të tij.
Në diskursin popullor është përdorur shpesh shprehja “Albin baba”, e cila simbolizon një formë të idealizimit politik.
Ky fenomen nuk është i panjohur në sociologjinë politike.
Liderët karizmatikë shpesh perceptohen si bartës të ndryshimit dhe si figura të afta për të zgjidhur probleme komplekse.
Por idealizimi i tepruar mund të krijojë pasoja të padëshiruara.
Ai mund të dobësojë kulturën kritike, të krijojë varësi emocionale nga lideri dhe të zbehë rëndësinë e institucioneve.
Në demokraci, asnjë lider nuk duhet të jetë më i rëndësishëm se sistemi institucional!

Nga anti-establishment në establishment

Paradoksi më i madh i Albinizmit është se ai lindi si lëvizje anti-establishment, por sot përfaqëson establishmentin politik.
Ky transformim ka sjellë sfida të reja.
Një lëvizje që ndërtoi identitetin e saj mbi kritikën tani duhet të dëshmojë aftësi për kompromis.
Një lëvizje që kundërshtonte personalizimin e pushtetit tani përballet me akuzat se po e përqendron politikën rreth figurës së liderit.
Një lëvizje që premtoi ndryshim rrënjësor duhet të përballet me kufizimet reale të qeverisjes.
Këto kontradikta përbëj