Ballina Aktuale PATRIOTIZMI NUK MATET ME VENDIN E PUNËS, POR ME NDERSHMËRINË DHE PËRGJEGJËSINË...

PATRIOTIZMI NUK MATET ME VENDIN E PUNËS, POR ME NDERSHMËRINË DHE PËRGJEGJËSINË NDAJ SHOQËRISË

SHPËRNDAJE

Qasje

Etiketimi i qytetarëve si “tradhtarë” nuk ndërton identitet kombëtar, por thellon përçarjet që dëmtojnë të ardhmen e të gjithëve

Nga Nexhmedin Saqipi

Prej shumë vitesh, në hapësirat tona ballkanike dëgjojmë akuza të rënda që hidhen lehtësisht ndaj shqiptarëve dhe boshnjakëve që jetojnë e punojnë në Serbi. Mjafton që dikush të jetë mësues, mjek, profesor, imam, punonjës i administratës, polic apo pjesë e një institucioni publik dhe menjëherë etiketohet si “tradhtar”, “shërbëtor i shtetit” apo madje edhe “spiun”. Këto etiketime janë bërë aq të zakonshme, sa shpesh zëvendësojnë argumentin dhe arsyen.

Por a është kjo një mënyrë e drejtë për ta gjykuar një njeri?

Nëse ndjekim këtë logjikë, atëherë duhet të shtrojmë një pyetje të thjeshtë: a janë tradhtarë të gjithë ata qytetarë që jetojnë në Serbi, paguajnë tatime, posedojnë dokumente shtetërore, regjistrojnë pronat e tyre, dërgojnë fëmijët në shkolla publike dhe përdorin shërbimet e shtetit? Nëse puna në një institucion publik konsiderohet tradhti, atëherë ku fillon dhe ku mbaron përgjegjësia qytetare?

Kjo është një pyetje që meriton përgjigje të sinqertë, jo emocionale.

Historia e shqiptarëve dhe boshnjakëve në këto troje dëshmon se breza të tërë kanë jetuar brenda sistemeve shtetërore të kohës. Në ish-Jugosllavi kanë punuar në administratë, në arsim, në shëndetësi, në ekonomi dhe në institucione të tjera publike. Kanë paguar tatime, kanë respektuar ligjet dhe kanë ndërtuar jetën e tyre në vendlindje. Edhe ata që politikisht kanë qenë kritikë ndaj pushtetit, nuk kanë jetuar jashtë rendit juridik të shtetit ku banonin.

Edhe Lugina e Preshevës ka kaluar nëpër etapa të vështira historike. Ka pasur referendum, rezistencë politike dhe konflikt të armatosur. Por më pas, me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar, u arritën marrëveshje politike, u realizua demilitarizimi dhe u shpall amnistia. U vendos që çështjet të trajtohen me mjete politike dhe institucionale.

Këto nuk ishin vendime të qytetarëve të zakonshëm, por procese të udhëhequra nga përfaqësues politikë dhe të mbështetura nga bashkësia ndërkombëtare. Prandaj lind një pyetje tjetër po aq e rëndësishme: pse barra morale e çdo zhvillimi historik duhet t’u ngarkohet qytetarëve të zakonshëm?

Pse një mësues që edukon brezat e rinj, një mjek që shpëton jetë, një profesor që formon kuadro, një imam që predikon paqen apo një nëpunës që kryen me ndershmëri detyrën e tij duhet të shpallet tradhtar vetëm sepse siguron bukën e familjes përmes një pune të ligjshme?

Patriotizmi nuk është privilegj i atyre që akuzojnë më shumë. As nuk matet me retorikë të zjarrtë apo me etiketime të lehta. Ai matet me kontributin që secili jep për komunitetin e vet, me respektimin e ligjit, me ruajtjen e identitetit, me arsimin e brezave, me solidaritetin dhe me përkushtimin ndaj së mirës së përbashkët.

Respekti ndërton shoqëri, urrejtja ndërton mure

Në të gjitha demokracitë moderne, pakicat kombëtare nuk konsiderohen më pak besnike ndaj identitetit të tyre vetëm pse marrin pjesë në jetën institucionale të shtetit ku jetojnë. Përkundrazi, pjesëmarrja në institucione është një mënyrë për të mbrojtur të drejtat, për të siguruar përfaqësim dhe për të ndikuar në përmirësimin e pozitës së komunitetit.

Nëse shqiptarët akuzojnë shqiptarët, ose boshnjakët akuzojnë boshnjakët, fitues nuk del askush. Humbet besimi, dobësohet kohezioni shoqëror dhe krijohen plagë që shfrytëzohen nga ata që kanë interes për përçarje.

Prandaj, para se të përdorim fjalën “tradhtar”, duhet të pyesim: kujt i shërben kjo gjuhë? Kush përfiton kur një komunitet ndahet në “patriotë” dhe “tradhtarë” vetëm mbi bazën e vendit ku punojnë njerëzit? Historia na ka mësuar se përçarjet e brendshme kanë qenë gjithmonë arma më e fortë e atyre që kanë dashur të dobësojnë një popull.

Nëse mendon dikush se bota i prish kufijtë e Serbisë për hatër dhe ëndrrave të serbit, shqiptarit, bullgarit, boshnjakut, rumunit, romit e pakicave të tjera, që jetojmë nëpër shtetet e Ballkanit, ky është mashtrim, këta janë tradhtarë dhe spiunë, të cilët nuk ia duan të mirën popullit të vetë e as qytetarëve.

Çështjet kombëtare, fetare dhe identitare janë tepër të shenjta për t’u shndërruar në mjete propagande, hakmarrjeje politike apo interesash personale. Ato kërkojnë urtësi, përgjegjësi dhe kulturë dialogu.

Mesazh për lexuesit

Ne jetojmë krah për krah në këto troje prej shekujsh. Historia na ka njohur me konflikte, por edhe me bashkëjetesë, me sfida, por edhe me solidaritet. E ardhmja nuk mund të ndërtohet mbi etiketime, urrejtje dhe dyshime të përhershme.

Nëse dëshirojmë që fëmijët tanë të jetojnë në shoqëri të ngjashme me demokracitë më të përparuara të Evropës, atëherë duhet të ndërtojmë kulturën e respektit, të dialogut dhe të besimit të ndërsjellë. Duhet të mësojmë të vlerësojmë njeriun sipas ndershmërisë, profesionalizmit dhe kontributit të tij për shoqërinë, e jo sipas paragjykimeve apo etiketave politike.

Popujt nuk forcohen duke shpallur njëri-tjetrin tradhtarë. Ata forcohen kur qytetarët e tyre ndërtojnë ura mirëkuptimi, mbrojnë dinjitetin njerëzor dhe punojnë së bashku për një të ardhme më të drejtë, më demokratike dhe më të begatë për të gjithë.