Ballina Opinione TË VDESËSH PËR TU RILINDUR

TË VDESËSH PËR TU RILINDUR

SHPËRNDAJE

Nga Barista Dritan Alsela

Pjesa 1: Rrënjët dhe Flatrat.

Ishte korriku i vitit 1992, një pikë kthese në jetën time. Sapo kisha përfunduar maturën me një mesatare prej 9.2 – një trampolinë për një të ardhme premtuese në kohë normale, në një vend normal. Por jeta në Shqipëri kishte ndryshuar në mënyrë dramatike. Lëvizja e ashtuquajtur demokratike e kishte zhytur vendin tepër të varfër dhe të pazhvilluar në kaos, dhe shoqëria, ashtu siç e njihja, kishte filluar të shpërbëhej.

Fabrikat dhe uzinat ishin mbyllur, inflacioni rritej pandalim dhe papunësia përhapej si zjarr. Njerëzit, të çrrënjosur dhe të dëshpëruar, mbështeteshin në një ndihmë sociale të mjerueshme që shteti – tani një hije e vetvetes – shpërndante. Korrupsioni, dikur një mëkat i fshehtë, ishte bërë mënyrë mbijetese. Vendi dukej sikur po rrëshqiste drejt një lufte civile, e cila në vitin 1997 do të bëhej realitet.

Në mes të këtyre trazirave ishte familja ime. Babai im, dikur mjek pune në një ndërmarrje minerare, kishte humbur punën si shumë të tjerë. Nëna ime, që punonte në fshat në një institucion të quajtur “Roje Operative e Gatishmërisë Luftarake“ – ROGL kalonte ditët në një zyrë duke pritur që telefoni i vetëm i fshatit të binte. Ai telefon duhej të shërbente si alarm nëse do të shpërthente luftëa kundër NATO-s – por ai telefon nuk ra kurrë. Në vitin 1991 ajo kishte humbur punën.

Më 11 korrik 1992 mbusha 18 vjeç. Kisha ëndrra – doja të largohesha, shumë larg. Doja të zgjidhja dhe jetoja jetën time lirisht, mundësisht në një vend të lirë, e më së miri në Shqipëri. Synimi im ishte Tirana, kryeqyteti, që pavarësisht afërsisë gjeografike, për shkak të kushteve të vështira të udhëtimit, dukej si një botë e largët. Një vizitë në Tiranë, një vend që e njihja vetëm nga librat e shkollës dhe televizioni (i komshiut), dukej e paarritshme.

Për të filluar studimet në Tiranë, duhej të kaloja një provim pranimi – një sfidë që kërkonte disa udhëtime në kryeqytet, diçka që familja ime mezi do ta përballonte financiarisht. Një mbrëmje, kur ishim mbledhur të gjithë – prindërit e mi, vëllezërit, secili duke luftuar me jetën në këtë periudhë të vështirë – e hapa bisedën. Por në vend të mbështetjes mora një përballje me realitetin: Duhej të qëndroja në shtëpi dhe të kërkoja punë, ashtu si vëllai im më i madh.

Situata ishte pa rrugëdalje. Pothuajse nuk kishte punë, dhe toka e vogël që na ishte kthyer pas nuk mjaftonte për të jetuar. Mungesa e shpresës kishte pushtuar çdo ditë. Duhej të largohesha nga vendlindja ime e dashur – por ku dhe si? Nuk kisha as lekë për të blerë një biletë autobusi për në Tiranë.

Por nuk e humba shpresën. Kushëriri im katër vjet më i madh, Astrit Kadiu, i cili tashmë kishte luksin e një makine – dhuratë nga vëllai i tij që kishte emigruar jashtë vendit – u bë ura ime drejt mundësive të reja. Me makinën e tij, të parën dhe të vetmen në zonën tonë, më hapi botën jashtë Klosit. Pas lutjes sime ai pranoi të më merrte me vete në Tiranë, dhe ndërsa ai eksploronte qytetin, unë nisa rrugën për të ndjekur ëndrrën time.

Pas muajsh pritjeje dhe udhëtimesh të shumta në Tiranë, më në fund erdhi dita vendimtare: 16 shtator 1992. Ia kisha dalë – u pranova në dy fakultete. Në rrugën e kthimit për në shtëpi, ndërsa bisedonim me Astritin për të ardhmen time, pamë para nesh para që fluturonin në ajër. Me gjasë, i kishte humbur një biçiklist që sapo ishte kthyer në një rrugicë dhe ishte zhdukur nga sytë. Edhe pse e thirrëm, nuk kishim asnjë mundësi ta gjenim. Mendonim ta dorëzonim paratë në polici, por Astriti më tha të mos e bëja – nga frika se policia do t’i mbante për vete. Dhe kështu vendosëm t’i mbajmë. Ky fat i papritur u bë një bekim i papritur në jetën time.

I mblodhëm paratë, dhe megjithëse i ofrova Astritit pjesën e tij, ai refuzoi. Tha se ishte fati im që i gjeta dhe më uroi me gjithë zemër. Me këtë bekim në duar u ktheva në shtëpi, plot gëzim dhe shpresë.

Por gëzimi u kthye shpejt në shqetësim. Nëna ime dyshonte per kete gjetje dhe me tha prit deri sa te vije babai jot ne shtepi. Babai më mbylli në dhomë dhe më pyeste pa pushim se nga i kisha gjetur, edhe pse ia tregoja historinë sërish e sërish. Nuk më besoi derisa e dëgjoi vetë nga goja e Astritit. I pushtuar nga emocionet, më dha bekimin e tij dhe paratë m’i ktheu.

Ky fat dhe pranimi në universitet shënuan hapin e parë të rrugëtimit tim të ri. Ishte një kthesë që do ta shkëpuste lidhjen time me fshatin Bejne – Klos dhe do të më çonte në një udhëtim që do ta ndryshonte përgjithmonë fatin tim.

Pjesa 2: Zgjimi në Tiranë

Mbërritja ime në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, shënoi fillimin e një kapitulli të ri në jetën time. Me pritshmëri të mëdha hyra në qytetin e mundësive – një kontrast i fortë me fshatin tim Bejne, të rrethuar nga malet dhe i shkëputur nga bota. Aty, në qetësinë e maleve, jeta dukej sikur kishte mbetur në Mesjetë, e karakterizuar nga një ekzistencë paqësore, por e izoluar.

Në Tiranë mora banesën time në “Qyteti Studenti”, një kompleks banimi për studentët që nuk ishin nga kryeqyteti. Shtëpia ime e re ndodhej në katin e pestë të një konvikti që e ndaja me dy studentë të tjerë. Tualetet ishin të përbashkëta në çdo kat, dhe dushi ndodhej në katin përdhes – pjesë e rutinës së përditshme në këtë kapitull të ri të jetës sime.

Kureshtja ime për njerëzit që do takoja ishte e madhe, e përzier me një ndjenjë respekti. Unë, një djalë nga Bejni e largët, hyra në një botë që e njihja vetëm nga librat që kisha lexuar – një botë që më dukej njëkohësisht e njohur dhe e huaj. Tirana, në imagjinatën time, ishte një qytet modern, i qytetëruar dhe i lirë – krejt ndryshe nga fshati ynë i varfër dhe provincial. Por realiteti që gjeta ishte ndryshe.

Njerëzit në Tiranë nuk ngjanin me ata që njihja nga fshati im. Ata më dukeshin agresivë, të zhurmshëm dhe shpesh përtacë. Mburrja ishte në modë; secili përpiqej të impresiononte tjetrin, me çdo kusht. Përpiqeshin të dukeshin elegantë dhe “ndryshe” nga pjesa tjetër e vendit, por kjo i bënte të duken si një kopje e keqe e Lindjes dhe Perëndimit njëkohësisht.

Perfyterimi im që kisha për elitën intelektuale shqiptare u trondit kur kuptova se shumë prej tyre kishin studiuar në Bashkimin Sovjetik ose në vendet e bllokut lindor gjatë viteve ’60. Dukej sikur ADN-ja e re e qytetërimit shqiptar ishte formësuar nga Lindja komuniste dhe më pas nga Kina. Këto ditët e para në Tiranë ishin një zgjim për mua – një përballje me një botë që s’kishte lidhje me ëndrrat e mia romantike. Ishte një vend ku duhej të mësoja të mbijetoja dhe të gjeja vendin tim – në një qytet që ishte njëkohësisht frymëzues dhe sfidues.

Pasi u sistemova në Tiranë, nisa me zell studimet e mia. Universiteti ishte një pasqyrë e shoqërisë shqiptare – një kazan idesh, bindjesh dhe rrymash politike. Sa më shumë kalonte koha, aq më shumë ndjeja një pakënaqësi në rritje ndaj realitetit politik e shoqëror që më rrethonte.

Pjesa 3: Realitetet dhe zhgënjimet

Fillimi i studimeve të mia në Tiranë ishte premtues. Paratë që kisha gjetur rastësisht, ato dhrahmi greke që fati m’i solli në rrugë, më mjaftuan për fillim. Por nuk mund të qëndroja indiferent teksa shokët e mi ishin në nevojë. U jepja hua, ndonjëherë nga keqardhja, ndonjëherë nga dëshira për t’u treguar i dobishëm. Kështu, kur erdhi periudha e festave të fundvitit, xhepat e mi ishin bosh. U ktheva në shtëpi pa asnjë qindarkë, i mbushur me dyshime nëse do të mund të kthehesha më në Tiranë.

Por më 31 dhjetor ndodhi diçka e papritur. Agroni, vëllai i mikut tim të fëmijërisë, Sali Shenjatari, që kishte emigruar në Greqi, më solli një zarf. Brenda tij kishte para dhe një letër të shkurtër:
“Këto para janë për ty, Dritan. Ti duhet të studiosh!”

Ndonëse ndihesha keq që pranoja para nga një familje që vetë nuk kishte shumë, ky gjest më mbushi me një ndjenjë të thellë mirënjohjeje dhe shprese. Ishte si një dorë e padukshme që më shtyu të vazhdoja. Falë atij gjesti bujarie, arrita të kthehem në Tiranë dhe të vazhdoj studimet.

Në Tiranë, përveç studimeve të mia në Inxhinieri Elektrike, kaloja shumë kohë në Institutin Goethe. Ky institut kulturor gjerman, i pranishëm në shumë vende të botës, kishte një degë edhe në Tiranë. Ishte vendi ku gjeja frymëzim, qetësi dhe një dritare drejt botës që ëndërroja – Gjermanisë. Aty thellova diturine time për historinë dhe kulturën gjermane, dhe për herë të parë fillova të ndjej se përkatësia ime shpirtërore po largohej nga Shqipëria që më rrethonte.

Semestri i parë përfundoi me sukses. Kisha nota të mira dhe një ndjenjë arritjeje që më mbante gjallë. Por sa më shumë kalonte koha, aq më tepër ndjeja një zbrazëti brenda vetes. Fillova të pyesja veten për kuptimin e gjithçkaje: çfarë e ardhme kishte Shqipëria ime?

Politika kishte hyrë në çdo qelizë të jetës shoqërore. Qyteti gumëzhinte nga parti, grupe, tubime dhe fjalime. Ishte një luftë për pushtet që ngjante më shumë me një luftë bandash se me një demokraci të vërtetë. Njerëzit ishin ndarë, disa mbanin flamurin e “demokratëve”, të tjerët atë të “socialistëve”, por në thelb ishte e njëjta histori – e njëjta kastë që kishte ndryshuar vetëm ngjyrën e emrit.

Në kokën time ekzistonte një Shqipëri tjetër – ajo që ëndërroja: një vend i ndershëm, modern, me mundësi e dinjitet. Por realiteti ishte tjetër. Më parë kishim pasur bandën zogiste, pastaj bandën komuniste të Enver Hoxhës, i cili kishte vdekur më 1985. Tani vendi ishte ndarë mes Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste: e para, plot me ish-oficerë të sigurimit të shtetit; e dyta, e mbushur me ish-komunistë. Ndërsa njerëzit e vërtetë – intelektualët, nacionalistët dhe idealistët – ishin zhdukur, të shkatërruar gjatë 45 viteve të diktaturës.

Në këtë atmosferë zhgënjimi e pasigurie, fillova të mendoj gjithnjë e më shumë për vendin tim në këtë botë. A kisha të ardhme këtu? Apo duhej të kërkoja një rrugë tjetër, jashtë kufijve të Shqipërisë?
Ëndrra ime për një Shqipëri ndryshe po tretjej ngadalë – dhe me të, një pjesë e imja.

Pjesa 4: Rruga drejt pasigurisë

Por ku mund të shkoja? Kufijtë e vendeve fqinje ishin të mbyllur fort – shqiptarët ishin të padëshiruar kudo. E vetmja rrugë që dukej e hapur ishte një udhëtim i rrezikshëm në këmbë drejt Greqisë. Kështu, gjatë pushimeve verore, vendosa ta provoja fatin dhe të emigroja atje, me shpresën se do të mund të fitoja pak para për semestrin e ardhshëm të studimeve.

Udhëtimi ishte i vështirë, i lodhshëm dhe plot frikë. Shtatë ditë ecje në male, mes vapës, urisë dhe pasigurisë, derisa arrita në qytetin e Volosit. I rraskapitur, por gjallë. Aty mora punën e parë që m’u ofrua – në një ndërmarrje që prodhonte dhe paketonte dhe përzierje toke për lule. Ishte punë e rëndë, por ndershme. Flija në një kamion, lahesha me ujë të ftohtë jashtë, dhe çdo mëngjes falënderoja Zotin që ishte verë, jo dimër.

Pas tridhjetë ditësh pune, vendosa të kthehem në Shqipëri për të rifilluar studimet. Por rrugës për në Tiranë, në heshtjen e autobusit që kalonte rrugët e shkatërruara, më pushtoi një ndjesi e fortë:
Duhej të largohesha nga ky vend. Përfundimisht.

Por jo drejt Greqisë.
Zemra ime rrihte për një vend tjetër – Gjermaninë.

Gjermania më dukej si një tokë premtimi. Një vend ku nderohej puna, ku vlerësohej arsimi, ku çdo njeri mund të ndërtonte diçka me duart e veta. Një vend i rregullit, dijes dhe dinjitetit – krejt e kundërta e rrëmujës që lashë pas në atdhe.

Ky vendim nuk ishte i lehtë. Do të thoshte të lija pas familjen, shtëpinë, kujtimet, gjithë rrënjët e mia. Por brenda meje kishte lindur një forcë e re, një bindje që më shtynte përpara: jeta që doja nuk ishte më këtu.
E dija se përpara më priste një rrugë e pasigurt, e gjatë dhe e mbushur me pengesa. Por më mirë një pasiguri me shpresë, sesa një siguri pa të ardhme.

U ktheva në Tiranë me këtë ndjenjë të fortë në shpirt – i qetë vetëm për një gjë: se ajo kthesë nuk do të ishte fundi, por fillimi i një udhëtimi të ri, drejt një bote të panjohur, por plot mundësi.

Pjesa 5: Pengesat dhe rreziqet

Vera që pasoi më gjeti sërish në një udhëkryq. Vendosa të kthehem në Greqi – këtë herë për një qëndrim më të gjatë. Dëgjoheshin histori për njerëz që po kalonin me skafe drejt Italisë dhe po arrinin t’i shpëtonin mjerimit. Por çmimi për t’u futur në një nga ato varka ishte shumë i lartë. Kështu që më duhej të punoja sërish, të mblidhja më shumë para, të fitoja mundësinë për ta blerë shpresën time.

Por ky udhëtim i dytë ishte shumë më i rrezikshëm se i pari. Në rrugën e kalimit drejt Greqisë u sulmuam nga banda shqiptare – njerëz të armatosur që grabisnin e torturonin emigrantët si ne. Ishte një përballje me frikën më primitive të njeriut: frikën për jetën. Mendova se gjithçka mbaroi aty.

Por fatkeqësia nuk mbaroi me kaq. Pas tre muajsh qëndrimi të fshehtë në Greqi, u arrestuam nga policia greke. U dërguam në stacionin e policisë në Katerini, ku filloi kapitulli më i errët i atij viti. Na futën në një dhomë të vogël, dhjetë a pesëmbëdhjetë vetë, pa ajër, pa ushqim, pa ujë të mjaftueshëm. Të shtrirë përdhe, në errësirë e lagështirë, prisnim çdo mëngjes që dera të hapej – por ajo hapej vetëm për të na numëruar, si bagëti.

Kushtet ishin çnjerëzore. Trajtimi – poshtërues. Ishim të padukshëm, pa zë, pa identitet, pa të drejta. Dhe megjithatë, brenda meje digjej një flakë e vogël: ajo që nuk shuhet kurrë – shpresa.

Kjo përvojë më preku thellë. Më tregoi fytyrën e vërtetë të jetës së një refugjati: urinë, dhimbjen, poshtërimin, por edhe forcën e brendshme për të mos u dorëzuar. Ishte një mësim që nuk do ta harroj kurrë.
E kuptova se, edhe pse më kishin mbyllur në një qeli, liria ime e vërtetë ishte brenda meje – në aftësinë për të mos humbur besimin.

Kur u ktheva më në fund në Shqipëri, duart më dridheshin, por zemra ishte e qetë. Dija një gjë: nuk do të ndalesha këtu.
Duhej të zgjidhja – të qëndroja në këtë vend pa rrugëdalje apo të vazhdoja të kërkoja rrugën time jashtë tij.

Dashuria për familjen më mbante, por mallkimi i varfërisë më shtynte tutje. Ajo verë në Greqi më kishte ndryshuar përgjithmonë. Më kishte bërë më të fortë, më të vërtetë. Dhe tani isha gati – i gatshëm të përballoja gjithçka, vetëm për të arritur një jetë që kishte kuptim.

Pjesa 6: Lamtumira dhe kalimi përtej detit

Më 30 shtator 1994, qëndrimi im tre­mujor në Greqi mori fund papritur. Policia greke na arrestoi dhe na dëboi drejt Shqipërisë. Kur u ktheva te familja ime, ndjesia ishte e përzier: gëzim dhe trishtim në të njëjtën frymë. I kisha marrë shumë malli — ishin tre muaj të gjatë, pa lajme, pa asnjë letër, pa asnjë zë prej tyre. Por nën buzëqeshjet e përqafimit fshihej një sekret i rëndë: e dija që kjo mund të ishte hera e fundit që i shihja.

Zyrtarisht u ktheva për të vazhduar studimet në Tiranë. Por brenda vetes kisha marrë tashmë një vendim të hekurt:
Do ta lija Shqipërinë – këtë herë përfundimisht.

Në Tiranë nisa përgatitjet. Kisha krijuar lidhje me njerëz që merreshin me organizimin e kalimeve përmes detit. Njëri prej tyre ishte një ish-mësues imi, që tani punonte si ndërmjetës mes refugjatëve dhe kontrabandistëve. Ai më ndihmoi të siguroj një vend në një nga ato anije të vogla që niseshin fshehurazi nga brigjet shqiptare drejt Italisë. Premtimet që na bënë tingëllonin si ëndrra: “Do t’ju presin njerëzit tanë në breg, do të qëndroni në shtëpi të bukura, do të keni ushqim dhe punë.”
Por në thellësi e dija që realiteti nuk do të ishte aq i butë.

Më 28 tetor 1994, lashë Shqipërinë përgjithmonë. Zemra më rrihte fort ndërsa ngjitesha në atë skaf të mbushur me njerëz që mbanin të njëjtën shpresë – dhe të njëjtin tmerr. Në errësirën e natës, zhurma e motorit dhe dallgët e detit përzienin frikën me gëzimin. Ndërsa brigjet e vendit tim zbeheshin në horizont, e ndjeva qartë: nuk kishte më kthim prapa.

Deti ishte i errët, i ftohtë, i pamasë. Çdo valë dukej si një frymëmarrje e fatit. Në ato orë të gjata në det, mendja më sillte fytyrat e prindërve, të vëllezërve, të fshatit tim – çdo kujtim që më kishte bërë njeri. Nuk e dija nëse do ta arrija Italinë, nëse do të shpëtonim. Vetëm një gjë ishte e sigurt: po lija pas gjithçka që kisha qenë, për t’u bërë ajo që ende nuk isha.

Ishte një kalim që ndiente si vdekje dhe rilindje në të njëjtën frymë. Një akt dëshpërimi, por edhe guximi. Një fluturim në errësirë me besimin se diku përtej horizontit ekzistonte një dritë – një jetë tjetër.

Dhe në atë moment, mbi detin e trazuar, ku çdo dallgë mund të ishte e fundit, kuptova se çdo njeri ka dy lindje: një kur vjen në këtë botë, dhe një kur zgjedh të mos jetojë më si më parë.