Ballina Aktuale MINISTRI DEMO BERISHA URON DITËN E THEMELIMIT TË KËSHILLIT KOMBËTAR SHQIPTAR

MINISTRI DEMO BERISHA URON DITËN E THEMELIMIT TË KËSHILLIT KOMBËTAR SHQIPTAR

SHPËRNDAJE

Ministri për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave dhe Dialogun Shoqëror i Republikës së Serbisë, Demo Berisha, ka uruar Ditën e Themelimit të Këshillit Kombëtar të Pakicës Kombëtare Shqiptare, duke ua përcjellë urimet e tij të gjithë pjesëtarëve të komunitetit shqiptar në Republikën e Serbisë.

Në mesazhin e tij të urimit, ministri Berisha ka theksuar rëndësinë e rolit që kanë këshillat kombëtarë të pakicave kombëtare në realizimin dhe mbrojtjen e të drejtave kolektive të komuniteteve pakicë, veçanërisht në fushat e arsimit, kulturës, informimit publik, si dhe në përdorimin zyrtar të gjuhës dhe shkrimit.

Ai ka vlerësuar se këshillat kombëtarë përbëjnë një mekanizëm të rëndësishëm institucional për ruajtjen dhe promovimin e identitetit kombëtar, kulturor dhe gjuhësor të pakicave, duke vepruar në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin e Republikës së Serbisë.

“Republika e Serbisë mbetet e përkushtuar ndaj mbrojtjes dhe avancimit të pozitës së të gjitha pakicave kombëtare, respektimit të të drejtave të tyre, si dhe kultivimit të respektit të ndërsjellë dhe dialogut”, ka theksuar ministri Berisha në mesazhin e tij.

Në urimin e tij, ai ka nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit institucional dhe të dialogut shoqëror si faktorë kyç për ndërtimin e një shoqërie demokratike, gjithëpërfshirëse dhe multietnike, ku të gjitha komunitetet gëzojnë të drejta dhe mundësi të barabarta.

Këto qëndrime janë bërë të ditura përmes një njoftimi zyrtar të Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave dhe Dialogun Shoqëror, e cila ka riafirmuar angazhimin e saj për mbështetjen e proceseve që kontribuojnë në forcimin e pozitës së pakicave kombëtare dhe në zhvillimin e dialogut ndërmjet komuniteteve në Republikën e Serbisë./Jetapress/