Ballina Aktuale REISU-L-ULEMA HAXHI NEXHMEDIN EF. SAQIPI PJESËMARRËS NË SHËNIMIN E 250-VJETORIT TË SHTETËSISËAMERIKANE...

REISU-L-ULEMA HAXHI NEXHMEDIN EF. SAQIPI PJESËMARRËS NË SHËNIMIN E 250-VJETORIT TË SHTETËSISËAMERIKANE NË BEOGRAD  

SHPËRNDAJE

Dje, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd organizoi një ceremoni solemne me rastin e shënimit të 250-vjetorit të shtetësisë amerikane, duke mbledhur personalitete të shumta nga jeta politike, fetare, kulturore, akademike, mediatike dhe shoqëria civile nga Serbia dhe rajoni.

Në këtë ngjarje të rëndësishme, e cila u organizua në frymën e miqësisë, bashkëpunimit dhe vlerave demokratike që përfaqësojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, morën pjesë edhe përfaqësues të shquar nga Lugina e Preshevës. Të pranishëm ishin Kryetari i Rijasetit të Bashkësisë Islame të Serbisë, Reis-l-Ulema Haxhi Nexhmedin ef. Saqipi, kryetari i Komunës së Bujanocit Arbër Pajaziti, kryetarja e Komunës së Preshevës Ardita Sinani, kryetari i Këshillit Nacional Shqiptar Enkel Rexhepi, si dhe deputeti në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.

Gjithashtu, në këtë ceremoni morën pjesë edhe përfaqësues të jetës kulturore, shoqërisë civile, mediave dhe personalitete të tjera nga Lugina e Preshevës, duke dëshmuar rëndësinë e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Me ftesë të Ambasadës së SHBA-së në Beograd, Kryetari i Rijasetit të Bashkësisë Islame të Serbisë, Reis-l-Ulema Haxhi Nexhmedin ef. Saqipi, mori pjesë në këtë ceremoni në emër të institucionit që ai përfaqëson. Me këtë rast, ai shprehu urimet e tij të sinqerta për popullin amerikan dhe institucionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Kam pasur kënaqësinë dhe nderin të marr pjesë, në emër të Rijasetit të Bashkësisë Islame të Serbisë, në ceremoninë e organizuar me rastin e 250-vjetorit të shtetësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Me këtë rast, shpreh urimet e mia më të sinqerta për popullin amerikan, duke i dëshiruar Shteteve të Bashkuara paqe, përparim dhe suksese të mëtejshme në promovimin e lirisë, demokracisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar”, u shpreh Reis-l-Ulema Haxhi Nexhmedin ef. Saqipi.

Ceremonia e organizuar nga Ambasada Amerikane në Beograd u karakterizua nga një atmosferë festive dhe solemne, duke reflektuar vlerat universale të lirisë, demokracisë, respektit të ndërsjellë dhe partneritetit ndërkombëtar, të cilat Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë promovuar gjatë historisë së tyre 250-vjeçare.

Pjesëmarrja e përfaqësuesve nga Lugina e Preshevës në këtë ngjarje të rëndësishme përbën një dëshmi të respektit dhe vlerësimit të ndërsjellë, si dhe të përkushtimit për forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fusha të ndryshme të jetës shoqërore dhe institucionale./Jetapress/