Ballina Aktuale TË MOS NA NDODHË QË PJESËMARRJA NË ZGJEDHJET PARLAMENTARE TË SERBISË TË...

TË MOS NA NDODHË QË PJESËMARRJA NË ZGJEDHJET PARLAMENTARE TË SERBISË TË CILËSOHET SI TRADHTI KOMBËTARE!

SHPËRNDAJE

Reflektim

Nga Nexhmedin Saqipi

Historia politike e shqiptarëve të Luginës së Preshevës na mëson se përfaqësimi institucional nuk është një rrugë e lehtë. Ai është shoqëruar me pengesa, përplasje, ndarje dhe përpjekje të vazhdueshme për të fituar më shumë të drejta.

Angazhimi i faktorëve institucionalë të Kosovës dhe Shqipërisë, së bashku me mbështetjen e diasporës, për një pjesëmarrje sa më masive rreth listës së përbashkët, Koalicionit Shqiptar për Bashkim, synon ta rrisë mundësinë e fitimit të më shumë ulëseve në Parlamentin e Serbisë.

Në këtë kontekst, shpresa është që pas përfundimit të procesit zgjedhor të mos dëgjohen përsëri zëra që pjesëmarrjen e shqiptarëve në zgjedhjet parlamentare të Serbisë e cilësojnë si tradhti kombëtare. Një qasje e tillë do të ishte në kundërshtim me nevojën për përfaqësim politik, me realitetin institucional në të cilin jetojnë shqiptarët e Luginës dhe me përpjekjet e tyre të vazhdueshme për të siguruar më shumë të drejta.

Për ata që nuk e njohin sa duhet historinë e organizimit institucional të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, është e rëndësishme të rikujtohen disa momente që kanë shënuar rrugëtimin e tyre politik, fetar dhe kombëtar.

Pjesëmarrja politike

Pas konfliktit të armatosur dhe marrëveshjes së demilitarizimit të UÇPMB-së, në praninë e faktorit ndërkombëtar, shqiptarët u përballën me sfidën e ndërtimit të një forme të re të përfaqësimit politik dhe institucional.

Në vitin 2002, në komunën e Bujanocit u zhvilluan zgjedhjet komunale të jashtëzakonshme, të cilat shënuan një etapë të rëndësishme të pjesëmarrjes politike shqiptare në periudhën pas konfliktit.

Në vitin 2003 u themelua Bashkësia Islame për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, si institucion fetar që organizon jetën fetare të shqiptarëve të kësaj treve.

Në vitin 2007, shqiptarët u organizuan për të siguruar përfaqësimin e tyre në Kuvendin e Serbisë, ku Riza Halimi u zgjodh deputet, duke u bërë një nga figurat më të njohura të përfaqësimit politik shqiptar në nivel shtetëror.

Ndërkaq, në vitin 2010 u themelua për herë të parë Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve, një institucion me rëndësi për përfaqësimin e interesave shqiptare në fushat që lidhen me arsimin, kulturën, informimin dhe përdorimin zyrtar të gjuhës e shkrimit.

Këto zhvillime dëshmojnë se organizimi institucional i shqiptarëve në Luginë nuk është një dukuri e re, por një proces që ka kaluar nëpër sfida, kundërshti dhe përpjekje të vazhdueshme për të siguruar të drejta e përfaqësim.

Përgjegjësi kombëtare

Prandaj, në këtë moment zgjedhor, shqiptarët kanë nevojë për maturi politike, përgjegjësi kombëtare dhe një debat që i bashkon rreth interesave të tyre, në vend që t’i përçajë përmes etiketave.

Nuk është e drejtë që çdo pjesëmarrje në institucionet e Serbisë të gjykohet paraprakisht si tradhti. Ajo që duhet të vlerësohet është qëllimi i pjesëmarrjes, programi i përfaqësuesve, qëndrimi i tyre ndaj të drejtave të shqiptarëve dhe rezultatet konkrete që arrijnë.

Të marrësh pjesë në zgjedhje nuk do të thotë të heqësh dorë nga kombi. Të kërkosh përfaqësim nuk do të thotë të pranosh padrejtësinë. Të hysh në institucione nuk do të thotë të heshtësh përballë diskriminimit.

Përkundrazi, nëse institucionet ndikojnë në jetën e përditshme të shqiptarëve, atëherë përfaqësimi i tyre duhet të jetë një mjet për të kërkuar llogari, për të mbrojtur të drejtat dhe për të ngritur zërin aty ku merren vendimet.

Patriotizi i zhurmshëm

Por duhet thënë po aq qartë se asnjë listë e përbashkët dhe asnjë numër deputetësh nuk mund ta zëvendësojnë ndershmërinë, guximin dhe përgjegjësinë kombëtare.

Lugina e Preshevës nuk ka nevojë për patriotizëm të zhurmshëm që shfaqet vetëm pas zgjedhjeve, por për veprime konkrete që mbrojnë interesin e shqiptarëve para, gjatë dhe pas tyre.

Prandaj, le të jetë kjo garë një mundësi për të dëshmuar pjekuri politike, unitet dhe përgjegjësi. Shqiptarët e Luginës meritojnë përfaqësues që i bashkojnë, i mbrojnë dhe u japin shpresë për një të ardhme me më shumë barazi, dinjitet dhe të drejta.

Sepse interesi kombëtar nuk mbrohet me akuza të ndërsjella, por me qëndrime të drejta, përfaqësim të ndershëm dhe rezultate që ndihen në jetën e qytetarëve.