Ballina Aktuale JOVO BAKIQ: MJAFT MË ME NACIONALIZËM, SERBËT DHE BOSHNJAKËT DUHET TË JETOJNË...

JOVO BAKIQ: MJAFT MË ME NACIONALIZËM, SERBËT DHE BOSHNJAKËT DUHET TË JETOJNË SI FQINJ NORMALË

SHPËRNDAJE

Profesori serb paralajmëron ndryshime politike, reforma institucionale dhe një kapitull të ri në marrëdhëniet mes popujve të rajonit.

Profesori i sociologjisë Jovo Bakiq, kandidat i Listës Studentore në zgjedhjet në Serbi, ka deklaruar se ndryshimet e mundshme politike në vend duhet të shënojnë fundin e retorikës nacionaliste dhe rikthimin e marrëdhënieve normale ndërmjet popujve të rajonit.

Bakiq ka theksuar se Serbia ka nevojë për reforma të thella në Ministrinë e Punëve të Brendshme, sistemin gjyqësor dhe institucione të tjera, duke e cilësuar luftën kundër krimit të organizuar si një nga prioritetet kryesore.

Sipas tij, institucionet shtetërore nuk duhet të jenë në shërbim të grupeve kriminale apo qendrave të caktuara të pushtetit, por duhet të funksionojnë në interes të qytetarëve.

Duke folur për marrëdhëniet me Bosnjë-Hercegovinën, Bakiq ka kërkuar respektimin e plotë të sovranitetit dhe integritetit territorial të saj, si dhe ndërtimin e raporteve të mira me të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike.

Ai ka kritikuar politikat e Milorad Dodikut dhe Aleksandar Vuçiqit, duke pretenduar se retorika nacionaliste është përdorur për të larguar vëmendjen nga aktivitetet kriminale dhe të paligjshme.

Si shembull të bashkëjetesës, Bakiq ka përmendur Sanxhakun, ku serbët dhe boshnjakët, sipas tij, kanë dëshmuar se mund të jetojnë në paqe dhe me respekt të ndërsjellë, pavarësisht dallimeve politike.

“Duam t’i rikthejmë ato kohë që duket se janë harruar prej kohësh, kur mund të jetonim me njëri-tjetrin si njerëz normalë dhe si fqinjë normalë. Kjo është një vlerë qytetëruese”, ka deklaruar Bakiq.

Ai ka vlerësuar gjithashtu kontributin e studentëve të Universitetit Shtetëror në Novi Pazar në afrimin e serbëve dhe boshnjakëve, duke theksuar se bashkëjetesa dhe mirëkuptimi duhet të jenë baza e marrëdhënieve në rajon.

Në përfundim, Bakiq ka shprehur angazhimin për forcimin e këtyre raporteve, me synimin që qytetarët të jetojnë si vëllezër e motra, si në Serbi ashtu edhe në Bosnjë-Hercegovinë.