Ballina Aktuale KUSH E KONTROLLON NJERIUN QË NUK KA FRIKË NGA ZOTI?

KUSH E KONTROLLON NJERIUN QË NUK KA FRIKË NGA ZOTI?

SHPËRNDAJE

Nga Nexhmedin Saqipi

Njerëzit që besojnë në Zot, zakonisht i përballojnë më lehtë vështirësitë e jetës, sepse besimi u jep shpresë, durim dhe forcë shpirtërore. Por lind një pyetje tjetër: si i vështirësitë ata që nuk besojnë? Çfarë i mban ata të fortë përballë sprovave të jetës dhe çfarë i pengon të kalojnë kufijtë njerëzorë?
Ajo që na ka trokitur në dyert tona kohëve të fundit është shqetësuese: vrasje, urrejtje, ndasi mes njerëzve dhe familjeve, tragjedi mes njerëzve më të dashur, xhelozi, pakënaqësi dhe humbje të ndjenjës së përgjegjësisë.
Ironia është se, ndërkohë që shqiptarët kanë përmirësuar standardin e jetesës dhe kushtet materiale, në shumë raste duket se kemi varfëruar shpirtin, ndërgjegjen dhe marrëdhëniet njerëzore.
Kush duhet ta marrë përgjegjësinë për këtë gjendje? Kush duhet ta korrigjojë drejtimin e gabuar që i kemi dhënë shoqërisë?
Këto dukuri nuk lindin vetvetiu. Ato ushqehen nga një frymë, nga një orientim dhe nga një mënyrë jetese që, dalëngadalë, po e largon njeriun nga vlerat themelore njerëzore.
Historia na mëson se shoqëritë, kur e humbin masën, kur e teprojnë me padrejtësinë dhe kur largohen nga njerëzorja, përballen me pasoja të rënda. Besimi na mëson se Zoti i sprovon njerëzit dhe se shoqëritë që i kthejnë shpinën drejtësisë e moralit nuk mund t’i shmangin pasojat e veprimeve të tyre.
Por kush i solli njerëzit deri në këtë gjendje pakënaqësie, urrejtjeje dhe mungese përgjegjësie?
Ku janë zërat që kërkojnë ndërtimin e një shoqërie pa Zot e pa fe? A mund të ndërtohet një shoqëri e shëndoshë duke e përjashtuar besimin, pa ofruar një sistem të fortë vlerash morale dhe përgjegjësie?
Nuk është çështja të paragjykojmë ateistët, sepse edhe njeriu që nuk beson mund të jetë i ndershëm, human dhe i përgjegjshëm. Por pyetja është: çfarë mekanizmi moral e ndalon njeriun kur lakmia, xhelozia, interesi dhe etja për pushtet e verbojnë?
Kush ua vendos kufirin atyre që kanë grumbulluar pasuri, forcë dhe pushtet dhe mendojnë se mund të përvetësojnë gjithçka që shohin? Kush ua kujton se ekziston një kufi, se jo gjithçka që mund ta marrësh të takon dhe se jo çdo gjë që mund ta bësh është e drejtë?
Pse presim që protestat dhe akuzat ndaj njëri-tjetrit t’i zgjidhin të gjitha problemet, kur secili prej nesh ka përgjegjësi për veprimet e veta individuale dhe shoqërore?
Nuk mund të kërkojmë llogari vetëm nga të tjerët, ndërkohë që heshtim për grabitjen, korrupsionin, papunësinë, padrejtësinë, mungesën e angazhimit dhe pengesat që ia vendosim njëri-tjetrit.
Shoqëria nuk shpëton vetëm duke ndërruar pushtetarët, por duke ndryshuar edhe ndërgjegjen e njerëzve.
Në fund, pyetja mbetet: kush do ta lajë çekun për këtë faturë morale që po ia lëmë brezave të ardhshëm?