Ballina Aktuale XHEVAT PREKAZI, KRENARIA SHQIPTARE QË NUK E FSHIN DOT HISTORIA!

XHEVAT PREKAZI, KRENARIA SHQIPTARE QË NUK E FSHIN DOT HISTORIA!

SHPËRNDAJE

Nga Nexhmedin Saqipi

Ndërroi jetë Xhevat Prekazi, njëri nga futbollistët më të talentuar shqiptarë të historisë së futbollit jugosllav.

Prekazi shkëlqeu te Partizani i Beogradit, ku u shpall tri herë kampion i Jugosllavisë në mesin e viteve ’80. Fitoi Kupën e Jugosllavisë me Hajdukun e Splitit, ndërsa emër, famë dhe lavdi ndërkombëtare fitoi edhe te Gallatasaraji i Turqisë, ku u shpall dy herë kampion. Goli i tij spektakolar në Ligën e Kampionëve kundër Monakos e shndërroi në një figurë të paharrueshme të futbollit.

Xhevat Prekazi dhe Fadil Vokrri mbeten dy nga yjet më të mëdhenj shqiptarë të futbollit të ish-Jugosllavisë, në një periudhë kur futbolli jugosllav gëzonte respekt të madh në Evropë dhe në botë.

Ai lindi në vitin 1957, në një familje shqiptare, në Mitrovicën shqiptare të Kosovës. Që herët u largua drejt Beogradit për të ndërtuar karrierën sportive, ku më pas jetoi pjesën më të madhe të jetës së tij, deri në ndarjen nga kjo botë.

Kam lexuar shumë intervista dhe shkrime për të. Veçanërisht një intervistë të dhënë para disa vitesh në emisionin Sport Magazine, në RTS 1, ku ndër të tjera, ai kishte deklaruar:

“Unë jam shqiptar dhe këtë nuk mund ta mohoj. Kam lindur në Mitrovicën e ish-Jugosllavisë. Por Beogradi është qyteti dhe shteti im.”

Kjo deklaratë mund të interpretohet në mënyra të ndryshme, por një gjë duhet kuptuar: njeriu mund ta dojë qytetin ku ka jetuar, ta respektojë vendin ku ka ndërtuar karrierën dhe ta ndiejë veten të lidhur me të, pa e mohuar prejardhjen e tij.

Prandaj, askush nuk ka të drejtë ta gjykojë identitetin e Xhevat Prekazit sipas bindjeve apo interpretimeve të veta. Ai ishte shqiptar i lindur në Mitrovicë dhe një figurë e madhe e futbollit evropian.

Me Xhevat Prekazin janë rritur dhe frymëzuar gjenerata të tëra futbollistësh. Ai u bë ikonë e futbollit shqiptar, sepse talenti nuk njeh kufij, as kombësi.

Është krenari për shqiptarët që nga Kosova doli një futbollist i kalibrit të tij, i cili arriti të bëhej yll i Partizanit të Beogradit dhe më pas legjendë e Gallatasarajit.

Historia e shqiptarëve në Beograd nuk fillon dhe nuk përfundon me futbollin. Në periudha të ndryshme, nga Kosova dhe viset shqiptare kanë dalë studiues, shkencëtarë, politikanë, ushtarakë, boksierë, gazetarë dhe personalitete të tjera, të cilët kanë ndërtuar karrierën e tyre atje.

Kjo është pjesë e historisë sonë dhe askush nuk mund ta fshijë.

Prandaj, është e padrejtë dhe e turpshme që pas vdekjes së një personaliteti të kalibrit të Xhevat Prekazit të hapen debate për ta kontestuar ose përvetësuar identitetin e tij.

Ai nuk ka nevojë që sot dikush t’ia mbrojë talentin, as që dikush tjetër t’ia përvetësojë prejardhjen. Vepra e tij sportive flet vetë.

Shqiptarët kanë talente edhe sot, të cilët ndërtojnë karrierë jashtë vendit, shpesh sepse në vendlindjen e tyre nuk gjejnë kushtet dhe hapësirën e nevojshme për t’u zhvilluar.

Xhevat Prekazi iku nga kjo botë, por emri, talenti dhe gjurmët që la në futboll do të mbeten përjetësisht.

Lavdi jetës dhe veprës sportive të Xhevat Prekazit!

Ai mbetet krenari e futbollit shqiptar dhe një emër që historia nuk do ta harrojë.