Ballina Opinione Historia e konfliktit Turqi-Greqi dhe një opsion për paqen

Historia e konfliktit Turqi-Greqi dhe një opsion për paqen

SHPËRNDAJE

Michael Tanchum

Konflikti i përshkallëzuar midis Turqisë dhe Greqisë në Mesdheun Lindor, bazuar mbi një mosmarrëveshje të vjetër mbi kufirin detar, është duke u shndërruar në një makth gjeopolitik për NATO-n dhe Bashkimin Evropian.

Më 21 shkurt, Franca dërgoi aeroplanmbajtësen e saj bërthamore për të patrulluar për disa muaj në Mesdheun Lindor, si një shfaqje e forcës në mbështetje të Greqisë. Athina, e zhgënjyer me shumë prej partnerëve të saj të tjerë të BE-së për shkak të qasjes së tyre “pajtuese” ndaj Turqisë, ka mobilizuar një nivel të paparë mbështetje ushtarake nga Egjipti, Izraeli, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Një Turqi, që mban 30 mijë trupa në veri të pjesës së ndarë sipas linjave etnike të Qipros, po këmbëngul tani që vendi anëtar i BE-së të ndahet për të krijuar një shtet të pavarur turk. Konflikti është serioz, po ndodh në mesin e Evropës, dhe po e zbeh solidaritetin mes vendeve të NATO-s.

Brukseli dhe Uashingtoni duhet të tërheqin sa më parë një vijë kufitare mes Ankarasë dhe Athinës, për t’i dhënë fund para se të jetë tepër vonë mosmarrëveshjes së tyre. Po ku?

Një nga problemet për Turqinë është e ashtuquajtura e Harta e Seviljes mbi kufijtë e detarë të Mesdheut Lindor. E emërtuar sipas një harte të porositur nga BE tek Universiteti spanjoll i Seviljes, ajo ofroi kufijtë më maksimalë të mundshëm për Greqinë dhe Qipron në kurriz të Turqisë, duke përdorur vijën bregdetare të çdo ishulli grek të banuar, pavarësisht vogëlsisë së tij apo edhe afërsisë nga bregdeti turk. Veçanërisht i diskutueshëm në këtë hartë ishte përdorimi si referencë i ishullit të Kastellorizo, një ishull shumë i vogël vetëm një milje larg bregdetit turk, në përcaktimin e kufirit detar Greqi-Turqi.

Harta e Seviljes e pasuar u bazua në Konventën e OKB-së mbi Ligjin e Detit (UNCLOS), që në nenin 121, përcakton se bregdeti i një ishulli, që mund të “mbështesë jetesën apo jetën ekonomike të njerëzve” gjeneron një shelf kontinental dhe një Zonë Ekskluzive Ekonomike (EEZ), njëlloj si çdo formacion tokësor bregdetar. Por, në të njëjtën kohë, UNCLOS siguron parimin e barazisë, dhe ligji ndërkombëtari bazuar në të krijon edhe mundësinë e shmangies së nenit 121, kur zbatimi i këtij të fundit krijon një shkelje të pajustifikuar në zonën e një bregdeti kontinental.

Ankaraja nuk e ka hulumtuar kurrë këtë rrugë për rregullimin e Hartës së Seviljes, pasi ajo nuk është nënshkruese e konventës në fjalë. Në vend të kësaj rruge, Turqia gjeti një partner ndërkombëtar me të cilin do të hartonte hartën e vet. Në vitin 2019, Ankaraja nënshkroi një marrëveshje për kufirin detar me Libinë, dhe saktësisht me qeverinë e Tripolit, e cila ka krijuar një hartë që përcakton një zonë detare maksimal për Turqinë, duke ia mohuar ishujve grek të drejtën e shelfit kontinental apo të Zonës Ekonomike Ekskluzive. Marrëveshja ka përcaktuar kufirin vetëm në një segment detar prej 18.6 miljesh midis Turqisë dhe Libisë. Por, e projektuar në atë formë, harta e Ankarasë dhe Tripolit, e ndan të gjithë atë zonë detare ekskluzivisht ndërmjet Turqisë dhe Libisë.

Harta e Turqisë do të jetë në çdo rrethanë e pavlefshme, përderisa 3 219 milje katrorë det pranë ishullit të Kretës, pikërisht në mesin e asaj zone detare do të gjenerojë pa dyshim një Zonë Ekonomike Ekskluzive për Greqinë.

Përplasja midis këtyre dy hartave e ka vendosur Mesdheun Lindor në syrin e një stuhie gjeopolitike. Si Ankaraja ashtu edhe Athina duhet që të tërhiqen nga kërkesat e tyre maksimaliste. Nëse e bëjnë këtë, progresi në zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshje, mund të shënojë edhe rifillimin e negociatave të bllokuara për ribashkimin e ishullit të Qipros. Por, në qoftë se ato nuk e bëjnë këtë gjë, një krizë e përshkallëzuar mund të pllakosë gjithë rajonin.

Për të kuptuar se si mund të caktohen kufijtë në fjalë, të dyja palët duhet të shohin sesi u zgjidh një mosmarrëveshje e ngjashme mes Bangladeshit dhe Mianmarit. Edhe pse Gjiri i Bengalit mund të duket tepër i largët nga Mesdheu Lindor, që të dyja rajonet detare janë të pasura me rezerva të gazit.

Ishulli i Kastellorizo, përkatësia e të cilit është në thelbin e mosmarrëveshjes Turqi-Greqi, ka shumë ngjashmëri me ishullin e Shën Martinin në Gjirin e Bengalit. Me një sipërfaqe 14 milje katrorë dhe i banuar nga 4000 njerëz, ai është pika gjeografike më jugore e Bangladeshit. Një destinacion turistik shumë i preferuar për shkak të plazheve koralore, ai ndodhet vetëm pesë milje larg bregdetit të Mianmarit. Ishulli grek i Kastellorizos është më i vogël sesa ai i Shën Martinit, dhe ndodhet shumë më pranë bregdetit turk. I bërë shumë popullor për turistët falë filmit italian të vitit 1991 “Mesdheu”, ishulli me vetëm 3.6 milje katrorë banohet nga jo më shumë se 500 njerëz. Por, ky ishull është përdorur gjithashtu për të përcaktuar kufijtë detarë shumë pranë brigjeve të Turqisë.