Ballina Lajme Maqedonia e Veriut në fillim të një valë të re infektimesh?

Maqedonia e Veriut në fillim të një valë të re infektimesh?

SHPËRNDAJE

Autoritetet e shëndetësisë thonë se Maqedonia e Veriut ndoshta gjendet në fillim të valës së re të Covid-19, por masa restriktive shtesë mund të ketë vetëm nëse spitalet gjenden përballë një presioni të madh. Ministri I Shëndetësisë, Venko Filipçe tha se Komisioni për Sëmundje Infektive do të mblidhet të Premten për të diskutuar për situatën. Sipas tij, pas stabilizimit të situatës, gjatë dy javëve të fundit sërish ka ngritje të shifrave, trend ky që shfaqet edhe në rajon.

“Gjatë dy javëve të kaluara shifra e infektimeve të reja është rritur për 25%, faktori i transmetimit për 1.14, kurse në 35 qytete incidenca është rritur për 28.5%. Nëpër spitale momentalisht ka 518 të hospitalizuar, me rritje prej 15%, por nuk ka presion të madh dhe rritje të numrit të pacientëve. Deri në fund të javës do të përfundojë sekuencimi i virusit dhe do të shohim se cili variant dominon në këtë periudhë”.

Për shkak se përvoja botërore ka treguar se restriksionet e ashpra nuk mund ta parandalojnë përhapjen e virusit, vaksinimi dhe masat e përgjithshme preventive mbeten arma më e fuqishme.

“Të pavaksinuarit bëjnë presionin ndaj spitaleve. 73 deri 80% të të hospitalizuarve nuk janë të vaksinuar. Megjithatë, për momentin nuk mendohet për vaksinimin e detyrueshëm, kurse për masa eventuale do të shohim pasi t’i dëgjojmë propozimet”

Ministri Filipçe paralajmëroi se vendi do të furnizohet me vaksina të prodhuesit “Johnson&Johnson”. Bëhet fjalë për 250.000 doza që injektohen në një dozë. Nga 8.006 rastet aktive, 1.068 prej tyre janë fëmijë, tha Filipçe duke thënë se procesi i vaksinimit në vend po stagnon. Dozën e tretë e kanë marrë 46.000 qytetarë kurse janë vaksinuar 5.000 fëmijë të moshës nga 15 deri 16 vjeç.

Ministri Filipçe ka njoftuar se Maqedonia e Veriut ka filluar bisedimet me kompaninë amerikane “Merk” për ilaçin kundër COVID-19, duke shfaqur interesimin për rezervimin e sasive të caktuara.