Ballina Aktuale Maqedonia e Veriut kërkon nga Kosova që të rishqyrtojë kufizimet

Maqedonia e Veriut kërkon nga Kosova që të rishqyrtojë kufizimet

SHPËRNDAJE

Ministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Bekim Sali, e ka telefonuar ministrin e Shëndetësisë në Kosovë, Rifat Latifin, për t’i kërkuar që ta heqë masën për parandalimin e Covidit, me të cilën atyre që hyjnë nga jashtë në Kosovë, u kërkohen dëshmi se janë vaksinuar me tri doza të vaksinës kundër koronavirusit.

Ministri Bekim Sali ia ka shprehur homologut të tij nga Kosova brengën e qytetarëve, të cilët thuhet se janë kufizuar ndjeshëm nga kjo masë.

“Duke konstatuar bashkërisht se gjendja me pandeminë në të dyja vendet është gati e njëjtë, ministri Bekim Sali kërkoi nga homologu i tij, Latifi, që ta rishqyrtojnë këtë vendim dhe të kërkojnë një mundësi tjetër që edhe të mbrohet shëndeti i qytetarëve të të dyja vendeve, por edhe të mos pengohet qarkullimi i tyre i lirë”, tha Bekim Sali.

Postimi i plotë i ministrit Sali:

Sot, kisha një bisedë telefonike me kolegun tim nga Kosova, ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi, me ç’rast diskutuam për masat e reja të Qeverisë së Republikës së Kosovës ndaj të gjithëve shtetasve të huaj që hyjnë në këtë shtet.

Shprehë mirëkuptim për vendimin e qeverisë kosovare, që ka ardhur duke e pasur parasysh gjendjen epidemiologjike në shtetin fqinj, si dhe kapacitetet e tyre për përballjen me këtë valë të virusit.

Po ashtu, kolegut tim ia përcollë edhe brengën e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, që kanë lidhje familjare, biznesore e detyrime të tjera që i lidhin me Kosovën, e të cilët kjo masë i ka kufizuar ndjeshëm.

Duke konstatuar bashkërisht se gjendja me pandeminë në të dyja vendet është gati e njëjtë, kërkova nga homologu im, Latifi, që ta rishqyrtojnë këtë vendim dhe të kërkojnë një mundësi tjetër që edhe të mbrohet shëndeti i qytetarëve të të dyja vendeve, por edhe të mos pengohet qarkullimi i tyre i lirë.