Ballina Aktuale Malësia e kthesa historike, faktor i internacionalizimit të çështjes së Luginës së...

Malësia e kthesa historike, faktor i internacionalizimit të çështjes së Luginës së Preshevës

SHPËRNDAJE

Korriku i vitit 2001, para 21 vjetësh, ishte një ngjarje shumë e rëndësishme për banorët e Malësisë së Bujanocit, të cilët kishin filluar të ktheheshin në vatrat e tyre stërgjyshore, të braktisura pa dëshirën e tyre, gjatë viteve të kobshme të 99-tës.

Ata pas një dekade largimi, kthehen nga Gjilani, ku kishin kërkuar strehë shpëtimi dhe kthimi i tyre ishte një gëzim dhe shpresë për Malësinë e Bujanocit, e cila gjatë atyre viteve ka qenë faktor i internacionalizimit të çështjes së Luginës së Preshevës.

Meqenëse shumë objekte banimi dhe ato të Bashkësisë Lokale të Zarbicës, ishin të demoluara dhe jo funksionale dhe në mesin e tyre bënte pjesë edhe Xhamia, e cila për 11 vjet rresht kishte qenë e mbyllur dhe e braktisur nga xhemati dhe vizitorët.

I pari nga Imamët e Luginës, vendosa të dal për ta hapur këtë Shtëpi të Zotit në Zarbicë, në emër të Këshillit të Bashkësisë Islame, për ta dhënë ligjëratën e parë e cila u prit me shumë emocione dhe mallëngjime.

“Vëllezër, kurrsesi nuk guxon të shuhet guximi, vendosmëria, patriotizmi e as ideali që kemi pranë veti, për realizimin e qëllimeve tona, pa marrë parasysh pasojat dhe vuajtjet. Kthimi i Malësisë është bërë obligim, pas themelimit të UÇPMB-së, që t’i ndihmoni bijve tuaj, pasi që këtë nuk e bëtë për shkak rrezikut të përgjithshëm, tani duhet të ktheheni për ruajtjen e autoritetit të nënshkrimit të Marrëveshjes, dhe demilitarizimin e UÇPMB-së, për hir të vullnetit dhe trimërisë të tyre që nuk e kursyen ar rininë për ju!”

Kjo ligjëratë pati jehonë të madhe dhe ndikim në motivacionin e kthimit të banorëve të Malësisë së Bujanocit, të cilën po e japim në tërësi të publikuar në Revistën Jehona, të datës 6 korrik 2001.