Ballina Lajme Nga Vendi Ndahet nga jeta mjeshtri i dalluar Idriz Breznica – Nikola Teslla i...

Ndahet nga jeta mjeshtri i dalluar Idriz Breznica – Nikola Teslla i Luginës

SHPËRNDAJE

Nga Metali Krasniqi

In memoriam

(10. 01.1930 – 06. 11. 2022)

Lajmi për ndarjen nga jeta të veprimtarit, humanistit dhe mjeshtrit të punëdoreve prej metali dhe druri, mekaniku i dalluar Idriz Murati, që në popull njihej si Idriz Breznica – Nikola Teslla i Luginës, mbushi me dhembje e pikëllim zemrat e gjithë atyre, që e njohën për së afërmi, apo që kishin dëgjuar për këtë njeri të mirë, mikpritës e bujar.

I ndjeri dritë pastë, Baca Idriz, ishte një plak i urtë dhe shumë miqësor. Dera e shtëpisë së tij, gjithmonë, ka qenë e hapur për miq e dashamirë. Në oborrin e shtëpisë së tij, vizitori mund të shikonte shumë pjesë metali dhe druri, me të cilat Baca Idriz rregullonte pajisje të makinave të ndryshme, por ka ndodhur edhe të shpikte ndonjë makinë elektronike për prerjen e drurëve, apo kositjen e luadheve, apo edhe çdo mjet që kërkonte njeriu për nevojat e tij.

Në një bisedë me gazetaren e Revistës “Perspektiva”, para disa vitesh, Baca Idriz rrëfente se si rregullonte çdo send që i shihte syri dhe i kapte dora, me ç’rast në moshën rinore të tij ka ndreq edhe një pushkë.

Ka ndodhur, siç thoshte për Revistën “Perspektiva”, Baca Idriz, dikur në godinën e Komunës së Kamenicës, Dardana e sotme, kishte pasur defekt një sef i madh metalik me dokumente arkivore, i cili duhej të shkatërrohej se i kishte humbur çelësi dhe nuk gjenin ndonjë mjeshtër për ta hapur atë. Lajmërohet Idriz Breznica dhe e rregullon sefin, duke i lënë të mahnitur punëtorët e administratës, të cilët sa herë që kishin ndonjë defekt e kërkonin ndihmën e tij.

Po për ndihmën e Bacës Idriz, kishin nevojë edhe shumë njerëz të punëve të fushës e malit, të ndërtimtarisë dhe infrastrukturës, të cilët shpesh kishin probleme me pajisjet e tyre dhe kërkonin ndihmën e tij.

Nga vet Baca Idriz, por edhe nga ata që e shoqëronin, nuk ngurronin të thonë se ky mjeshtër popullor, të shumtën e rasteve punonte vullnetarisht pa ndonjë interes për t’u dalë në ndihmë njerëzve në nevojë.

Ka shumë çka të shkruhet e thuhet për Bacën Idriz, por, ai, mbi të gjitha ishte një njeri i mirë, me tipare e virtyte të larta njerëzore, një malësor tipik, bujar e mikpritës, që la pas vete shembullin e një mjeshtri me nam në Luginë të Preshevës dhe më gjerë.

I shprehim ngushëllimet më të thella familjes Murati nga Bujanoci, Malësia e Gjilani dhe më gjerë, për humbjen e një mjeshtri të madh, i cili do të na mungojë shumë. Ai u nda nga ne fizikisht, për të mos u ndarë kurrë shpirtërisht.

Lavdi jetës dhe veprimtarisë së tij!