Ballina Aktuale Një çast i veçantë me z. Refik Memeti

Një çast i veçantë me z. Refik Memeti

SHPËRNDAJE

Nga Nexhmedin Saqipi

Pata nderin dhe respektin ta pres me një çaj e me zemër z. Refik Memeti – një burrë i rrallë, i cili punon dhe vepron në Zvicër prej dekadash, por me zemër, ndjenja, shpirt e mendje është gjithmonë me Tërnocin.

Refiku është një ndër aktivistët më të mëdhenj të diasporës sonë. Gjithmonë modest, i dashur, i mençur dhe me plot përvoja. Për çdo situatë, ai ka një zgjidhje – flet me bindje, reagon me guxim dhe mendon me dashuri për vendlindjen. Ai i njeh mirë problemet dhe flet gjithmonë drejt e me krenari.

Sipas Refikut, nuk ka gazetë, revistë apo libër që është publikuar para vitive 1990 e që nuk e ka në bibliotekën e tij personale në Zvicër. Ai është pasionant i leximit dhe librit, një njeri që kohën e lirë e kalon duke lexuar, studiuar, reflektuar. Ky pasion për dijen e bën atë një personalitet të veçantë në mesin tonë.

Edhe pse nuk pati mundësinë të ndjekë mësimet universitare, Refiku është një enciklopedi më vete. Nuk e harroj kurrë një bisedë 3-orëshe me të, me njohuritë e tij të gjera, të bën krenar që e kemi ndër ne një mik e bashkëveprimtar të tillë. Ai është shembulli më i mirë se si njeriu kalitet nga koha, sfidat dhe situatat e vështira.

Ku mos të jetë Refiku ky që është, kur ka miq e bashkëveprimtarë si veprimtari i mirënjohur Daja Skender dhe Arif Osmani? Një treshe e artë, secili me specifikat e veta. Janë njerëz që nuk mburren, nuk lavdërohen, por veprojnë me energji të pashtershme edhe në prag të pleqërisë.

Ata meritojnë mirënjohjen e të gjitha strukturave të Tërnocit. Pas kësaj tresheje të artë fshihen shumë prej sukseseve dhe ndihmave që i janë dhënë Tërnocit dhe më gjerë – ndihma që shumë herë as vetë ata nuk i përmendin, sepse nuk punojnë për emër, por për vlerat kombëtare dhe për Zotin.