Ballina Aktuale KUJDES ME DEKLARATA: FEJA NUK ËSHTË PËR RETORIKË POLITIKE

KUJDES ME DEKLARATA: FEJA NUK ËSHTË PËR RETORIKË POLITIKE

SHPËRNDAJE

Me theks

Nga Nexhmedin Saqipi

Me keqardhje, por edhe me ndjenjë të thellë përgjegjësie morale dhe qytetare, ndiej nevojën t’i drejtohem shokut tim dhe njëkohësisht përfaqësuesit tonë politik në Beograd. Ai sot flet dhe vepron në emër të qytetarëve të Luginës – jo vetëm në emër të atyre që e kanë votuar, por edhe në emër të shumicës që nuk e kanë mbështetur. Prandaj, çdo veprim i tij duhet të jetë i menduar mirë dhe i konsultuar me komunitetin. Fatkeqësisht, kjo nuk po ndodh.

Çështjet fetare nuk janë dhe nuk duhet të jenë kompetencë e një deputeti apo politikani. Për këto ekzistojnë institucionet fetare, të cilat janë të vetmet të mandatuara të flasin dhe të vendosin për to. Kur një përfaqësues politik ndërhyn në këtë fushë delikate pa mandat e pa maturi, ai jo vetëm që e cenon integritetin e besimit, por edhe e përdor atë për qëllime politike. Kjo është një lojë e rrezikshme që minon kohezionin tonë shoqëror.

Politizimi

Po të ketë gabuar Ana Brnabiq me deklaratat e saj, ju keni bërë një gabim edhe më të rëndë: keni politizuar një çështje të shenjtë. Në vend që të kontribuonit për qetësim e mirëkuptim, keni zgjedhur të provokoni opinionin publik. Përdorimi i papërgjegjshëm i thirrjes “Allahu Ekber” në një kontekst të nxehtë është jo vetëm i pahijshëm, por edhe i rrezikshëm – pasi mund të keqinterpretohet dhe instrumentalizohet, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

Nuk është detyra juaj të nxisni emocionet fetare të qytetarëve me gjuhë të ngarkuar, veçanërisht kur rrethanat kërkojnë maturi, reflektim dhe përgjegjësi.

Ne e kemi ndjekur me vëmendje këtë situatë. Ne kemi zgjedhur të ruajmë qetësinë, të nxisim dialogun dhe të qëndrojmë të përkushtuar ndaj vlerave të bashkëjetesës dhe tolerancës – sepse nuk guxojmë të lejojmë që feja të shndërrohet në vegël të lojërave politike. Kushdo që e bën këtë, është në kundërshtim me parimet morale, demokratike dhe shpirtërore që na udhëheqin.

Në momente tensioni, kemi nevojë për qetësi dhe përpjekje për të shuar zjarrin – jo për ta ndezur më shumë. Dhe ndaj ju them, me sinqeritet: gjuha që po përdorni sot është gjuhë e gabuar. Është gjuhë hakmarrjeje politike, që i shërben interesave afatshkurtra dhe jo të ardhmes së përbashkët. Kjo gjuhë nuk përfaqëson vlerat tona – as demokratike, as evropiane, dhe as islame.