Ballina Religjioni KUR SHOQËRIA PËRMBYS VLERAT, NDËSHKIMI BËHET I PASHMANGSHËM

KUR SHOQËRIA PËRMBYS VLERAT, NDËSHKIMI BËHET I PASHMANGSHËM

SHPËRNDAJE

Predikim:

Nga Nexhmedin Saqipi

Allahu i Madhërishëm ka krijuar njeriun me mend, me ndërgjegje, me përgjegjësi dhe me qëllim fisnik. E ka vendosur mbi tokë si mëkëmbës, për të ruajtur rendin, drejtësinë dhe ekuilibrin që Ai vetë ka vendosur në natyrë dhe në jetën shoqërore.
Por çfarë ndodh kur njeriu i braktis këto vlera? Kur shoqëria i përmbys standardet e drejtësisë dhe të moralit? Ndodh ajo që po ndodh para syve tanë. – E padrejta vlerësohet dhe duartrokitet. – Akultura dhe antivlerat financohen dhe përkrahen. – Futbollistët, këngëtarët dhe muzikantët bëhen “elita e kombit”. – E qeshura dhe luksi i të pasurve shitet si art dhe model jete. Mashtruesit dhe të korruptuarit marrin vendet më të larta në shtet. – Injorantët dhe të paarsimuarit vendosin në emër të popullit. – Të urtët dhe të diturit përçmohen, përjashtohen dhe heshtin. – Femrat pa moral shpallen si gra të suksesshme dhe promovohen në shoqëri. – Pasuria shpërdorohet pa kufi, pa qëllim dhe pa kontroll. A ka vlera dhe mirësi në një shoqëri të tillë? A mund të ketë stabilitet, paqe e përparim aty ku ka përmbysje të çdo rendi që ka vendosur Zoti?
Jo, vëllezër të dashur. Kur shoqëria arrin në këtë pikë, ajo nuk është më në rrugën e jetës, por në rrugën e vetëshkatërrimit. Sepse njeriu i arsyeshëm nuk e braktis dinjitetin dhe pozitën që ia ka dhënë Zoti. Njeriu nuk guxon të prishë ekuilibrin e jetës, as bilancin e drejtësisë, as rregullin që është vendosur nga qielli. Allahu i Plotfuqishëm thotë në Kur’an:
“Ne e kemi krijuar gjithçka me masë.” (el-Kamer, 49)
Dhe gjithashtu: “Mos bëni çrregullim në tokë, pasi që ajo është vendosur në rend.” (el-A’raf, 56)

Prandaj, kur kjo masë thyhet, kur ky rend përbuzet, atëherë ndodhin ato që sot i shohim: kriza ekonomike, shpirtërore, familjare, politike. Sprovat vijnë jo si ndëshkim i menjëhershëm, por si thirrje hyjnore për zgjuarje. Allahu nuk harron! Ai ndërhyn, jo për të na shkatërruar, por për të na kthyer në vete, për të na rikujtuar se pa të, çdo përpjekje është e kotë.

A do të zgjohemi, apo do të vazhdojmë në gjumë?

Sepse Allahu nuk e ndihmon një popull, derisa ai popull të fillojë të ndryshojë vetveten.
Allahu na udhëzoftë të gjithëve drejt së vërtetës, na forcoftë në moral, në drejtësi dhe në besim.
Amin!