Ballina Aktuale Telegram Urimi për votimin e Qeverisë së re në Republikën e Shqipërisë

Telegram Urimi për votimin e Qeverisë së re në Republikën e Shqipërisë

SHPËRNDAJE

I nderuar Kryeministër i Shqipërisë, z. Edi Rama,

Më lejoni që në emrin tim personal dhe në emër të qytetarëve të komunës së Bujanocit t’ju uroj rizgjedhjen për mandatin e katërt si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, si dhe formimin e Këshillit të Ministrave.

Përvoja Juaj e pasur qeverisëse është garanci e qartë për vazhdimin e reformave dhe forcimin e orientimit evropian të Shqipërisë. Jam i bindur se nën udhëheqjen tuaj, vendi do të vazhdojë rrugën drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian dhe do të ketë ngritje të mëtejshme në hartën turistike dhe ekonomike botërore, pa lënë anash edhe atë të sigurisë si vend anëtar në NATO.

Po ashtu, dua të theksoj rëndësinë e bashkëpunimit të Shqipërisë me shqiptarët në rajon, në veçanti me Luginën, ku presim që mbështetja institucionale e Tiranës të jetë gjithnjë e më e fortë.

Shpreh bindjen time të plotë se politika e jashtme e Shqipërisë, veçanërisht përmes Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, do të jetë e suksesshme dhe në funksion të forcimit të pozitës së shqiptarëve në rajon.

Me shpresë dhe besim se deri në fund të këtij mandati Shqipëria do të jetë anëtare e Bashkimit Evropian, Ju uroj suksese të reja në udhëheqjen e shtetit dhe qeverisë suaj.

Me respekt,
Arbër Pajaziti
Kryetar i Komunës së Bujanocit