Ballina Aktuale Prijësi i mirë – një ndër dhuratat më të mëdha që Zoti...

Prijësi i mirë – një ndër dhuratat më të mëdha që Zoti i jep një populli

SHPËRNDAJE

Nga Nexhmedin Saqipi

Prijësi i mirë është një nga dhuratat më të mëdha që Zoti ia jep një populli. Asgjë nuk është më e vlefshme sesa të kesh një udhëheqës të drejtë, një njeri pas të cilit mund të ecësh me bindje dhe siguri. Historia ka treguar se popujt vuajnë pikërisisht atëherë kur nuk kanë kë t’i prijë, kur mungon njeriu që t’ua tregojë rrugën në momentet vendimtare. Po aq popuj janë shkatërruar sepse udhëheqësit i kanë çuar drejt humbjes dhe përçarjes.

Edhe sot ndodh e njëjta gjë: një udhëheqës i paaftë, i pamoralshëm dhe i pandjeshëm i bën popullit më shumë dëm sesa do t’i sillte ndonjë armik i jashtëm. Sistemi politik, sidomos kur nuk ka demokraci të vërtetë, shpesh është ndërtuar për t’i sjellë në krye njerëzit më të gabuar – arrogantët, të pamëshirshmit, servilët dhe të paaftët. Në vende të tilla, legjitimiteti u jepet atyre që nuk e meritojnë, ndërsa të ndershmit mbeten mënjanë.

Por populli besimtar ka një detyrë të qartë: të ndërtojë besimin te Zoti dhe të zgjedhë prijës të cilët Zoti është i kënaqur me ta. Populli nuk duhet të ketë frikë në zemër, as të shitet për interesa të kësaj bote. Zgjedhja e udhëheqësit është një amanet dhe duhet bërë me ndërgjegje të pastër dhe me përgjegjësi ndaj brezave të ardhshëm.

Në fund, është e domosdoshme lutja: kërkimi i ndihmës së Zotit për fitore dhe drejtësi. Sepse është e vështirë të triumfohet kundër njerëzve mizorë, manipulues dhe pasuesve të së keqes, pa përkrahjen e Zotit. Ai na ka mësuar si të lutemi duke thënë:
“Zoti ynë! Mbushi zemrat tona me durim dhe na bëj të qëndrueshëm…”

Si mund të presë mëshirë prej Zotit një popull që në zgjedhje përkrah një laik të shpërfillshëm ndaj fesë, një njeri që nuk beson, e megjithatë kërkon prej Zotit të mira e bekim? Kjo është kundër logjikës, kundër besimit dhe kundër moralit.

Sot, falë Zotit, ekzistojnë zgjedhje të lira dhe demokratike. Prandaj përgjegjësia është edhe më e madhe: të zgjidhen njerëz të mirë, të besueshëm, të devotshëm dhe me karakter, të cilët e çojnë popullin në rrugë të drejtë, e jo njerëz të pabesë, mashtrues, ngatërrestarë e konfliktxhinj, që mbjellin tension dhe ndarje.

Zoti e di më mirë se ne, por detyra jonë është e qartë: të kërkojmë të mirin, të mbështesim të drejtin dhe të mos i dorëzohemi verbërisë politike.