Ballina Aktuale KËSHILLI PËR MONITORIMIN E ZBATIMIT TË REKOMANDIMEVE TË KOMBEVE TË BASHKUARA PËR...

KËSHILLI PËR MONITORIMIN E ZBATIMIT TË REKOMANDIMEVE TË KOMBEVE TË BASHKUARA PËR TË DREJTAT E NJERIUT

SHPËRNDAJE

Në prag të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, më 8 dhjetor 2025, në Beograd, u mbajt mbledhja konstituive e Këshillit për monitorimin e zbatimit të rekomandimeve të Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, në përbërjen e re, e kryesuar nga ministri për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave dhe Dialogun Shoqëror, Demo Berisha.

Ministri Berisha i përshëndeti të pranishmit dhe theksoi rëndësinë e monitorimit të vazhdueshëm dhe përmirësimit të zbatimit të rekomandimeve të OKB-së, si një mekanizëm kyç për forcimin e sistemit të mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Republikën e Serbisë.

Ai nënvizoi se detyra e Këshillit është të kontribuojë në transparencën dhe bashkëpunimin institucional, dhe theksoi se përbërja e re e Këshillit ka një rol të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe përmirësimin e praktikave të bazuara në standardet ndërkombëtare.

“Qëllimi ynë i përbashkët është të ndërtojmë një sistem në të cilin mbrojtja e të drejtave të njeriut do të jetë reale, e qasshme dhe efektive për secilin qytetar. Këshilli është një ndër mekanizmat kyç për arritjen e këtij qëllimi, dhe puna e tij do të fokusohet në rezultate konkrete dhe në forcimin e besimit të publikut”, tha ministri Berisha.

Në mbledhje foli, ndër të tjerë, edhe kryetari i Komisionit për Personat e Zhdukur, Veljko Odallović, i cili ka kryesuar delegacionin shtetëror para Komitetit të OKB-së për Zhdukje me Dhunë. Ai i njoftoi të pranishmit me qëndrimet e paraqitura nga delegacioni shtetëror në Gjenevë gjatë prezantimit të Raportit të Dytë Periodik të Republikës së Serbisë për zbatimin e Konventës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Gjitha Personave nga Zhdukjet me Dhunë, si dhe paraqiti rekomandimet e Komitetit.

Përveç anëtarëve të Këshillit, të cilët përbëhen nga përfaqësues të resorëve shtetërorë dhe institucioneve të pavarura, në mbledhje morën pjesë edhe përfaqësues të Kuvendit të Republikës së Serbisë, përfaqësues të shoqatave të familjeve të personave të zhdukur gjatë luftërave të viteve ’90, si dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare në Serbi./Jetapress/