Ballina Opinione RETORIKA PROVOKATIVE, QË LODH E ÇORODIT SHOQËRINË

RETORIKA PROVOKATIVE, QË LODH E ÇORODIT SHOQËRINË

SHPËRNDAJE

Nga Nexhmedin Saqipi

Lëvizja Vetëvendosje duhet t’i ndalë urgjentisht provokimet e vazhdueshme në opinionin publik. Kjo mënyrë veprimi nuk po prodhon as stabilitet e as qartësi politike; përkundrazi, po e lodh, po e huton dhe po e çorodit shoqërinë.

Provokimet duken të orkestruara dhe të shpërndara me radhë gjatë javës: një ditë flet Kurti, pas tij Donika, më pas Mimoza Kusari, Albulena Haxhiu, Glauk Konjufca, Mihajli… dhe kështu me radhë. Çdo ditë nga një deklaratë, çdo ditë nga një irritim i panevojshëm publik. Kjo nuk është komunikim institucional – është zhurmë politike.

Pas zgjedhjeve, pse vazhdon tensioni?

Pyetja legjitime është: pse kjo qasje vazhdon edhe pas përfundimit të zgjedhjeve? Çfarë synohet me këtë sjellje? Me këtë strategji, Vetëvendosje po argumenton vetë se ose nuk dëshiron stabilitet, ose frikësohet prej tij, ose thjesht nuk di të qeverisë në kushte normaliteti institucional.

Zgjedhjet janë fituar. Kaq. Legjitimiteti është dhënë nga qytetarët. Tani është koha për kthim në normalitet shtetëror. Opozita le të kritikojë dhe le të kërkojë llogari – ky është roli i saj demokratik. Ndërsa pushteti ka detyrim të qeverisë, jo të polemizojë çdo ditë me shifra zgjedhore e krahasime sterile.

Koha e fjalëve ka mbaruar

Për gati një muaj, vazhdon dalja publike me lavdërime për rezultate zgjedhore: filani kaq, tjetri aq. Por kujt po i flitet? Populli e di mirë kush është kush. Koha e fjalëve ka përfunduar. Është koha e veprimit.

Prej muajsh, veprimet institucionale kanë qenë jolegjitime dhe të paqarta. Në vend të provokimeve, kërkohet kryerja e punëve që u takojnë institucioneve të zgjedhura. Gjatë fushatës zgjedhore u vu re një moderim i qëllimshëm: disa figura publike u tërhoqën nga skena, me gjasë për të mos irrituar elektoratin. Por sapo zgjedhjet përfunduan, gjuha provokuese u rikthye me intensitet edhe më të madh.

Fitorja nuk e përjashton respektin

Në një situatë kur opozita është e dëmtuar rëndë, vazhdimi i provokimeve publike nuk është forcë politike, por mungesë kulture demokratike. Duhet respekt – edhe ndaj atyre që i ke fituar. Sepse politika nuk është pronë private dhe as pushtet i përjetshëm.

Historia politike e Kosovës e dëshmon qartë këtë. Siç do të thoshte Makiavelli, t’i besosh verbërisht popullit është sikur të ndërtosh shtëpi mbi rërë. Ky popull ka ndryshuar orientim politik disa herë: ka qenë rugovist, pastaj thaçist, sot është me Kurtin – e nesër askush nuk e di. Rrota politike rrotullohet më shpejt se sa mendohet.

Stabiliteti nuk ndërtohet me deklarata

Prandaj, pozita duhet të fillojë të punojë seriozisht dhe me përgjegjësi. Koha nuk pret. Lugina e Preshevës pret zgjidhje. Shoqëria ka nevojë për stabilitet dhe paqe, jo për deklarata ditore e tensione të panevojshme.

Ne nuk jemi në hall për fjalë, por për vepra. Stabiliteti dhe paqja nuk ndërtohen me provokime, por me maturi politike, përgjegjësi institucionale dhe veprim konkret në interes të qytetarëve.