Ballina Aktuale BIPBM: PËRVJETORI I VLERAVE, QËNDRESËS DHE MISIONIT FETAR

BIPBM: PËRVJETORI I VLERAVE, QËNDRESËS DHE MISIONIT FETAR

SHPËRNDAJE

Me rastin e përvjetorit të 23-të të themelimit të Bashkësisë Islame për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë (BIPBM), Reisu-l-Ulema i Rijasetit të Bashkësisë Islame të Serbisë, Nexhmedin ef. Saqipi, ka përcjellë urimet më të përzemërta dhe më të sinqerta për këtë institucion fetar, i cili ndër vite ka qenë shtylla kryesore në mbrojtjen, organizimin dhe avancimin e jetës fetare të myslimanëve në Luginën e Preshevës dhe më gjerë.

“Sot, më 21 janar, bëhen 23 vjet që nga themelimi i Bashkësisë Islame për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë – institucioni i vetëm i pavarur fetar në këtë rajon, i cili që nga viti 2003 vepron si subjekt juridik mbi baza të normave, parimeve dhe vlerave islame”, thuhet në mesazhin urues të Reisit Nexhmedin ef. Saqipi.

Në urimin e tij, Reisi Saqipi, i cili njëherësh është edhe themelues i BIPBM-së, ka theksuar se megjithëse në Serbi aktualisht veprojnë tri bashkësi islame, Bashkësia Islame për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë ka arritur që, përkundër sfidave të shumta, të ndërtojë një veprimtari të qëndrueshme dhe të suksesshme në shërbim të besimtarëve. Gjatë këtyre 23 viteve, BIPBM ka zhvilluar një sërë aktivitetesh të rëndësishme fetare, arsimore dhe shoqërore, duke u avancuar edhe në nivel të Rijasetit të Bashkësisë Islame në Serbi, me përfaqësim dinjitoz përmes zëvendëskryetarit dhe delegatëve të Kuvendit nga Lugina e Preshevës.

Një theks i veçantë në mesazhin e urimit i është kushtuar faktit se të gjitha këto aktivitete janë realizuar pa mbështetje financiare nga institucionet lokale apo qendrore, por falë përkushtimit të klerikëve dhe donacioneve të njerëzve vullnetmirë, gjë që dëshmon për besimin e madh të komunitetit ndaj këtij institucioni dhe për rolin e tij të pazëvendësueshëm në jetën fetare të rajonit.

Në këtë drejtim, Reisi Saqipi ka përmendur edhe organizimin e takimeve të rëndësishme të nivelit të lartë, si brenda vendit ashtu edhe në rajon, përmes të cilave BIPBM ka përcjellë vazhdimisht mesazhe të paqes, tolerancës, mirëkuptimit dhe fqinjësisë së mirë, pa dallime të përkatësisë kombëtare apo fetare.

Po ashtu, në kuadër të veprimtarisë së saj, Bashkësia Islame për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë ka arritur të institucionalizojë mësimin e lëndës fetare, të organizoj Haxhin, të angazhojë një numër të konsiderueshëm punëtorësh arsimorë, si dhe të rregullojë çështjen e stazhit të imamëve – një problem i kahershëm që deri më parë nuk ishte i rregulluar me ligj.

Ky përvjetor shënon jo vetëm një datë kalendarike, por një rrugëtim të gjatë përkushtimi, sakrifice dhe shërbimi ndaj besimit, komunitetit dhe vlerave universale të Islamit, me shpresën që BIPBM edhe në vitet në vijim të vazhdojë misionin e saj në frymën e paqes, harmonisë dhe dinjitetit njerëzor./Jetapress/