Ballina Aktuale NJË JETË NË SHËRBIM TË FJALËS DHE KOMBIT

NJË JETË NË SHËRBIM TË FJALËS DHE KOMBIT

SHPËRNDAJE

Nga Nexhmedin Saqipi

Sot, kur në mbarë botën shënohet Dita Botërore e Librit – një ditë që na kujton madhështinë e fjalës së shkruar dhe rolin e autorëve në ndërtimin e ndërgjegjes njerëzore, zemrat tona u mbushën me pikëllim të thellë nga lajmi për ndarjen nga jeta të Akademik Rexhep Qosjes.

Më 23 prill 2026, në moshën 89-vjeçare, u shua një nga mendjet më të ndritura të kombit shqiptar, historian i letërsisë, kritik letrar, shkrimtar, publicist, politikan dhe akademik, një figurë që i dha dritë mendimit dhe dinjitet fjalës shqipe. Ai u varros në praninë e rrethit të ngushtë familjar, duke respektuar amanetin e tij për thjeshtësi, pa ceremoni pritjeje dhe pa organizime institucionale, në qetësinë që ai vetë kishte kërkuar.

Ikja e tij në këtë ditë simbolike sikur na fton të reflektojmë më thellë: libri jeton përtej autorit, ndërsa autori jeton përjetësisht përmes veprës. Dhe pikërisht kështu do të jetojë edhe Akademik Qosja, në çdo faqe të shkruar, në çdo mendim kritik, në çdo brez që do të rritet me veprën e tij.

Kam pasur nderin ta takoj në ambientet e Institutit Albanologjik, ku, me thjeshtësinë dhe madhështinë që e karakterizonte, shprehu dëshirën të merrte pjesë në promovimin e librit tim “Opinione për Luginën e Preshevës”. Ky kujtim mbetet për mua një dëshmi e përkushtimit të tij të pashtershëm ndaj fjalës, kulturës dhe çështjes kombëtare.

Humbja e tij është e madhe, jo vetëm për familjen Qosja, por për mbarë kombin shqiptar. Ai ishte një shtyllë e mendimit, një zë i fuqishëm i identitetit dhe një ndërgjegje e gjallë e kohës sonë. Vepra e tij do të mbetet frymëzim i përhershëm për brezat që vijnë.

Në këto çaste, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Qosja, duke respektuar plotësisht dëshirën e tyre për qetësi dhe privatësi.

Në emër të shoqërisë civile nga Lugina e Preshevës, ndaj dhimbjen dhe nderimin më të thellë.

I përjetshëm qoftë kujtimi dhe vepra e Akademik Rexhep Qosjes!