Ballina Aktuale Stërvitja e parë e përbashkët ushtarake Serbi–NATO pranë Bujanocit, angazhohen rreth 600...

Stërvitja e parë e përbashkët ushtarake Serbi–NATO pranë Bujanocit, angazhohen rreth 600 ushtarë

SHPËRNDAJE

Në bazën “Jug” dhe poligonin “Borovac” pranë Bujanocit ka nisur stërvitja e parë e përbashkët ushtarake mes Serbisë dhe NATO-s, e cila do të zgjasë deri më 23 maj.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, përcjell preshevacom, në këtë stërvitje taktike të quajtur “NATO – Serbia” marrin pjesë rreth 600 pjesëtarë të Forcave të Armatosura Serbe, si dhe ushtarë nga Italia, Rumania dhe Turqia.

Stërvitja organizohet nga Komanda e Forcave Tokësore të Serbisë dhe Komanda e Forcave të Përbashkëta të NATO-s nga Napoli. Gjatë aktiviteteve dyjavore në terren do të ushtrohen taktika dhe procedura që përdoren në operacionet e mbështetjes së paqes, përfshirë sigurimin e bazave, kontrollin në pika kontrolli, menaxhimin e turmave dhe operacionet luftarake në mjedise urbane.

Udhëheqës i stërvitjes është zëvendëskomandanti i Brigadës së Tretë të Ushtrisë Tokësore, kolonel Branislav Stevanoviq, ndërsa në aktivitet marrin pjesë edhe planifikues dhe vëzhgues ushtarakë nga Britania e Madhe, Gjermania, Franca, SHBA-ja, Mali i Zi dhe vende të tjera partnere.

Ministria e Mbrojtjes theksoi se kjo stërvitje zhvillohet në kuadër të bashkëpunimit të Serbisë me NATO-n përmes programit “Partneriteti për Paqe”, duke shtuar se bashkëpunimi synon ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, si dhe forcimin e besimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë.