Ballina Aktuale Nga refuzimi te bashkëpunimi: KKSH nënshkruan marrëveshje me Trupin Koordinues

Nga refuzimi te bashkëpunimi: KKSH nënshkruan marrëveshje me Trupin Koordinues

SHPËRNDAJE

Në Bujanoc është nënshkruar marrëveshja ndërmjet Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH) për realizimin e projektit “Zërat e Traditës”, i cili do të financohet me 800 mijë dinarë.

Sipas njoftimit të Trupit Koordinues, projekti ka për qëllim ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare. Gjatë takimit ndërmjet ushtruesit të detyrës së drejtorit të Shërbimit të Trupit Koordinues, Nenad Mitroviq, dhe kryetarit të KKSH-së, Enkel Rexhepi, janë diskutuar edhe çështje të tjera me interes për shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Në fokus të bisedimeve kanë qenë fushatat informuese lidhur me pasivizimin e adresave, zbatimi i Planit Shtatëpikësh, përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet shtetërore, sigurimi i teksteve shkollore në gjuhën shqipe dhe avancimi i bashkëpunimit institucional.

Nga ana e tij, kryetari i KKSH-së, Enkel Rexhepi, deklaroi se projekti “Zërat e Traditës” do të dokumentojë dhe promovojë kulturën, traditat dhe zakonet e shqiptarëve, me theks të veçantë në rolin dhe kontributin e gruas shqiptare në ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Rexhepi theksoi gjithashtu se, pavarësisht bashkëpunimit për këtë projekt, qëndrimi politik i Këshillit Kombëtar Shqiptar ndaj Qeverisë së Serbisë mbetet i pandryshuar. Sipas tij, KKSH-ja do të vazhdojë të kërkojë zbatimin e marrëveshjeve me faktorin politik shqiptar, të ngrejë çështjet që lidhen me diskriminimin dhe shkeljen e të drejtave të shqiptarëve, si dhe të insistojë në trajtim të barabartë dhe respektimin e standardeve evropiane për të drejtat e njeriut dhe të pakicave.

Megjithatë, sipas burimeve të Jetapress, kjo marrëveshje paraqet një ndryshim të dukshëm në raportet ndërmjet KKSH-së dhe Trupit Koordinues. Sipas këtyre burimeve, fondi prej 800 mijë dinarësh ishte paraparë më herët për botimin e revistës “Nacionali”, organ zyrtar i KKSH-së, por atëherë drejtuesit e këtij institucioni kishin refuzuar t’i pranonin mjetet, me arsyetimin se ishte kërkuar largimi i Flamurit Kombëtar Shqiptar nga objekti i Këshillit.

Sot, në një situatë krejtësisht tjetër, i njëjti institucion ka vendosur të nënshkruajë marrëveshje me Trupin Koordinues, këtë herë për realizimin e projektit “Zërat e Traditës”. Ky zhvillim është interpretuar nga opinioni si një zbutje e raporteve ndërinstitucionale dhe një qasje më pragmatike ndaj bashkëpunimit.

Nëse kjo është rezultat i një reflektimi politik, i nevojës për bashkëpunim institucional apo i rrethanave të reja që kanë imponuar një qasje më të moderuar, mbetet të shihet në muajt në vijim. Një gjë është e sigurt: në politikë nuk ka qëndrime të përjetshme, por interesa dhe rrethana që ndryshojnë me kohën. Ndaj mbetet të shihet nëse ky bashkëpunim do të shtrihet edhe në raportet me Ministrinë për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave dhe Dialogun Shoqëror, apo do të mbetet vetëm një marrëveshje e kufizuar për një projekt kulturor. Siç thotë populli, koha është prova më e mirë e sinqeritetit politik./Jetapress/