Ballina Intervista Elvira Dushi: Ruajtja e identitetit shqiptar në Bosnje dhe Hercegovinë mbetet misioni...

Elvira Dushi: Ruajtja e identitetit shqiptar në Bosnje dhe Hercegovinë mbetet misioni ynë kryesor

SHPËRNDAJE


Kryetarja e Bashkësisë së Shqiptarëve në Bosnje dhe Hercegovinë, Elvira Dushi, në një intervistë për TVSA, foli për historikun e organizimit të shqiptarëve në këtë shtet, aktivitetet që zhvillon Bashkësia, si dhe sfidat me të cilat përballet në ruajtjen e identitetit kombëtar.
Ajo theksoi se tradita e organizimit të shqiptarëve në Bosnje dhe Hercegovinë fillon që nga viti 1969, me themelimin e Klubit Studentor “Lulëzimi”. Më pas, veprimtaria vazhdoi përmes shoqatave të ndryshme, ndërsa në vitin 2000 u themelua Bashkësia e Shqiptarëve në Bosnje dhe Hercegovinë, si organizatë ombrellë e disa shoqatave shqiptare, mes tyre “Bajram Curri” nga Sarajeva, “Adem Jashari” nga Mostari dhe “Dardania” nga Tuzlla.
Sipas Dushit, misioni kryesor i Bashkësisë është promovimi i kulturës shqiptare, ruajtja e gjuhës, traditës dhe vlerave kombëtare, si dhe përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet dhe aktivitetet zyrtare e publike.
Ajo nënvizoi se numri real i shqiptarëve në Bosnje dhe Hercegovinë është dukshëm më i madh se të dhënat zyrtare, pasi shumë shqiptarë në regjistrimet e popullsisë nuk deklarohen si të tillë, por si pjesëtarë të popujve konstituivë. Për këtë arsye, Bashkësia i kushton rëndësi të veçantë aktiviteteve kulturore dhe arsimore, me synim ruajtjen e identitetit kombëtar dhe shmangien e asimilimit të brezave të rinj.
Duke folur për sfidat aktuale, Dushi tha se Bashkësia, e cila ka selinë në të njëjtin objekt në komunën Stari Grad të Sarajevës që nga viti 1969, është përballur me rritje drastike të qirasë së lokaleve afariste, pas vendimit të komunës për rritjen e tarifave deri në 1.400 për qind.
Edhe pse Bashkësisë i është miratuar një zbritje e përkohshme e qirasë, ajo theksoi se kjo nuk garanton stabilitet afatgjatë. Sipas saj, Bashkësia disponon një kontratë qiraje të vitit 1977 me karakter të përhershëm, por megjithatë po përballet me presione administrative dhe kosto gjithnjë e më të larta, të cilat rrezikojnë funksionimin normal të saj.
Në përfundim, Elvira Dushi ritheksoi se ruajtja e identitetit shqiptar, gjuhës, kulturës dhe traditës në Bosnje dhe Hercegovinë mbetet prioriteti dhe misioni kryesor i Bashkësisë së Shqiptarëve.